Shefi i BE në Prishtinë: EULEX, mision teknik, jo politik
Yves de Kermabon, shef i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, ka deklaruar se ky mision vepron në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka deklaruar se puna e tij nuk është të kërkojë mendimin e OKB-së për ligjshmërinë e EULEX-it. “Unë jam shef i një misioni teknik, dhe jo politik”- ka thënë ai.
De Kermabon, në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti” ka thënë se është i gatshëm të udhëtojë në Beograd, për të shpjeguar më mirë mandatin e EULEX-it. "Jam i gatshëm të udhëtojë në Beograd për ta shpjeguar mandatin e EULEX-it. Dëshiroj t’i sqaroj përparësitë dhe përfitimet e shumta që do t’i kenë, sidomos pakicat, nëpërmjet sundimit të ligjit”, ka thënë Kermabon.
Sipas tij, ka sinjale pozitive nga Beogradi, kur bëhet fjalë për pranimin e EULEX-it. "EULEX është një mision teknik që punon për të gjithë banorët në Kosovës”, ka thënë De Kermabon, duke shtuar se, ky mision për momentin ndodhet në fazën e shtrirjes, në mënyrë që në muajin dhjetor - të mund të jetë operacional. /Telegrafi/