E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Qemali, pasaporta e identitetit tonë kombëtar



Nëse heqja e emërtimit të Universitetit të Vlorës, jo të bëhej fakt i kryer, siç po ndodh, por vetëm të ishte propozuar nga një anonim, të gjithë ata që janë atdhetarë do të ishin indinjuar dhe do të shpreheshin se këtë turp e kanë bërë vetëm ata që janë antishqiptarë. Vetëm ata që kanë vjellë dhe vazhdojnë të vjellin vrer kundër vendit tonë. Vetëm ata që nuk e kanë dashur Pavarësinë Kombëtare, që e kanë dashur Shqipërinë të skllavëruar, nën sundimin e të huajit, bëjnë diçka të tillë, që lejon zhdukjen e identitetit të pavarësisë sonë kombëtare.

Ndoshta dikush pyet se vetëm Ismail Qemali është identiteti i kombit të pavarur shqiptar? Sigurisht, që jo.

Si të gjitha kombet, edhe Shqipëria ka historinë e saj, një histori shumë të lashtë e shkruar me gjak, përmes luftërash shekullore. Historia nuk është ideale. Është një realitet real, të cilin e bëjnë njerëzit me bëmat e tyre të mira apo të këqija. Sipas këtyre fakteve dhe ngjarjeve, ajo shkruhet dhe pasqyrohet, e ndritur apo e turpshme. Për fat të mirë, ne shqiptarët kemi me se mburremi. Jemi kombi më i lashtë, autokton në trojet e të parëve tanë, troje që na i kanë rrëmbyer me të padrejtë. Duke nisur qyshkur mes popujve lindi etja për pushtet dhe babëzia për t’u pasuruar në shpinë të të tjerëve, të parët tanë kanë qenë nën breshërinë e sulmeve të panumërta të të huajve. Falë trimërisë, vetëmbrojtjes, intelektit mesdhetaro-ballkanik, nuhatjes së të voglit për të përballur ushtri të mëdha, të pajisura me armatime dhe artin luftarak të kohës, bëri të mundur mbijetesën e kombit tonë, më i drobituri i shekujve.

Shekujt nxorën edhe njerëzit e vet. Falë mençurisë së tyre, kulturës që i ka dalluar nga të tjerët, fjalës së duhur e thënë në kohën dhe vendin e duhur, si dhe marrëdhëniet e tyre me botën jashtë, bënë që atyre jo vetëm t’u dëgjohej fjala, por bashkëkombësit e tjerë i ndoqën pas me vetëdije të plotë. Ishte koha ajo që nxori udhëheqësit, që më vonë ata do të përbënin atë shtresë superiore që quhet “Elitë”.

Një ndër këto figura të ndritura, që shquhej mes njerëzve të ditur, ishte Ismail Qemali. Të këtyre përmasave, për nga roli që kanë luajtur dhe vlera që kanë dhënë në çështjet kombëtare, qysh nga koha e Skënderbeut e deri më sot, në vendin tonë s’janë më shumë se 4 -5 personalitete të tilla. Skënderbeu kurrë nuk do të kishte atë emër dhe famë, pa princin e Kaninës, Vlorës e Himarës, Gjergj Arianiti, i cili kishte fituar disa beteja kundër turqve. Madje nga studiuesit e huaj quhet “Madhështori”. Meritat e tij i njohin më shumë të huajt se vetë shqiptarët. Kjo ndodh sepse nëse për gjysmë shekulli u shkrua një histori e njëanshme, sot po bëhen faje që më vonë do të quhen krime. P. Sh., në familjet e mëdha nuk zihet në gojë emri Vrana, me të cilën nis fisnikëria shqiptare. Për sa thamë më sipër, koha nxori Skënderbeun, e bëri me famë.

Lufta për pavarësi nuk ka reshtur kurrë. Më konkrete dhe faktike u bë nga rilindasit tanë, kuvendet shqiptare, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, i cili pati rëndësi të veçantë, pasi s’mund të ketë pavarësi, kur populli nuk shkruan dhe lexon gjuhën e vet, (një nga 3 elementet e kombit). Vetë koha nxori Ismail Qemalin. Jo të gjithë morën atë iniciativë, atë mision historik të papërsëritshëm, shpalljen e pavarësisë Kombëtare. Me kulturën, diplomacinë dhe mençurinë e tij, I. Qemali gjeti çastin e duhur për të kërkuar përkrahjen e Fuqive të Mëdha dhe shpalli pavarësinë. Ndërkohë që shtetet e tjera ishin formuar qysh para 900 vjetësh, tek ne si rezultat i luftërave dhe përpjekjeve për liri, ishte Ismail Qemali që krijoi shtetin e parë shqiptar. Kjo hapi rrugën e zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të vendit.

Kjo çmenduri, që kërkon ta zbehë e të hedh baltë mbi historinë e Vlorës, ashtu siç ndodhi më 1997-ën, të kujton vitet ‘30 të shek XX e më pas, kur nja dhjetë familje plangprishëse të Vlorës (edhe nga fshatrat), në bashkëpunim me të huajin, si dhe akraballëkun, kërkonin të pengonin zhvillimet kombëtare. Për fat të keq, situata e krijuar sot në Vlorë të kujton atë kohë. Disa familje, të lidhura si fara e krisjes, duke marrë në duart e tyre, institucionet e pronave, arsimin, duke u vetëquajtur “të plotfuqishëm”, duan të ndryshojnë edhe vlerat kombëtare. Kujt i shërbejnë vallë? Mos vallë i shërbejnë ndonjë lobi shovinist antishqiptar, që kërkon të mohojë identitetin tonë?

Dihet se emërtimet e institucioneve arsimore, administrative, rrugëve a shesheve, miratohen nga qeveria. Madje do të sugjeroja që Parlamenti duhet të aprovojë një paketë ligjore, që të përcaktojë kushtet që duhet të përmbush individi, emrin e të cilit duhet ta mbajë një institucion. Mendoj se në këtë drejtim ka vend për debat.

Para disa vjetësh shoqëroja disa të huaj në një fshat të Vlorës. Njëri prej tyre kur vuri re fotografinë e personit, emrin e të cilit mbante shkolla, pyeti se cili ishte. Kur mësoi se ishte dëshmor, u përkul me nderim para portretit të tij. Nga kureshtja ai donte të dinte se ç’kishte bërë ai në fushën e arsimit. Por u shtang kur mësoi se ai jo vetëm ishte analfabet, por e kishte vrarë mushka e tij që u tremb nga një predhë e rënë aty pranë. As predha e zuri dhe as u vra në përpjekje me pushtuesit. Atëherë ai u shpreh: “Jo vetëm shkolla nuk duhet të mbajë emrin e tij, por ky nuk duhet të quhet as dëshmor. Të tilla raste ka me mijëra. Dihet se në çdo fshat ka pasur njerëz të arsimuar që kanë dhënë ndihmesën e tyre në përhapjen e arsimit shqip dhe çeljen e shkollës së parë shqipe. Cilëtdo qofshin këta kanë meritat e tyre.

Ismail Qemali nuk qenka akademik, po emrin e kujt do të meritonte Universiteti i Vlorës? Sa akademikë vallë japin mësim aty?! Nëse do të hiqet emri i Ismail Qemalit nga universiteti i qytetit tonë, a do të gjendet personaliteti i përshtatshëm që ta justifikojë këtë emër të nderuar. Ndaj e quaj antishqiptar. Kjo ndodhi nuk i shërben autoritetit të Shqipërisë në rrethet akademike dhe politike botërore. E mira do të ishte të kalohen në sitë të gjitha emërtimet e institucioneve.

Siç duhet bërë rishikimi i historisë shqiptare, do të bëhet dhe për historinë e letërsisë shqipe. Personalitetet e kulturës duhen parë jo në prizmin politik, por në atë elitar, mendoj se ka shumë figura të ndritura që ende s’njihen nga ne, shqiptarët.

Mijëra intelektualëve u mohuan profesionin, arsimin e lartë, i vranë, i burgosën dhe i internuan. Veprat e tyre krijuese i ndaluan të botohen apo të qarkullojnë. Sa të tjerë mërguan e morën tituj nderi aty ku dhanë vlerat e tyre. Është i pafalshëm mohimi i vlerave intelektuale të personaliteteve të tillë, se mes tyre do të dalin ata më të shquarit. Tradhtarët dhe bashkëpunëtorët me të huajin s’duhen vlerësuar. Madje u duhet çjerrë maska bijve të tyre që fshihen nën petkun e të persekutuarit.

Nuk besoj që qeveria Berisha, ta miratojë heqjen e emrit të universitetit tonë, sepse prishet imazhi i Shqipërisë në botë. U japim të drejtë emërtimeve në gjuhë të huaj. Së fundi, emri i Ismail Qemalit, shërben si pasaportë identiteti dhe autoriteti kombëtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›