Gjeniu dhe talenti
Gjenialitet quhet aftësia që ka një njeri nga natyra për të bërë mirë dhe me lehtësi gjëra që të tjerët nuk do të dinin t’i bënin veçse keq, qoftë edhe duke u munduar shumë. Kryeveprat nuk imitohen, ky paraprakisht është ligji estetik. Vlera e të gjitha gjenive është që nuk imitohen dhe janë të papërsëritshme.
Shpjegimi i hollësishëm mbi gjeniun dhe talentin është një temë me të cilën do të duhej të diskutohej në suaza të larta intelektuale, pa i dhënë shumë hapësirë edhe atyre njerëzve që mundohen të japin teza diletante, ku për shkathtësinë më të vogël natyrore të secilit individ që rrugëton nëpër kohë, thuhet se është gjeni, pasi që bëjmë atë që e bënë çdo njëri prej nesh. Me sa mend mundohen “të na i mbyllin sytë, e t’i dëgjojmë përrallat e tyre” (disa prej të cilëve e mbajnë veten e tyre për intelektual) se gjeniu është kështu e ashtu, madje me të cilën bëhen të famshëm dhe me autoritet të lartë në audiencë (sepse janë mësuar të imitojnë këngëtarët me famë botërore), duke krijuar konfuzitet tek masat e gjëra popullore. Historiani dhe esteti francez Dybo (Dubos) në një vepër të tij (1719) shkruan “Gjenialitet quhet aftësia që ka një njeri nga natyra për të bërë mirë dhe me lehtësi gjëra që të tjerët nuk do të dinin t’i bënin veçse keq, qoftë edhe duke u munduar shumë”. Me këtë jemi në hap të sqarimit të mirëfilltë të termit gjeni. Kur jemi veç se te gjeniu, është e pakrahasueshme të themi për njerëzit e rëndomtë të cilët përfundojnë ndonjë vepër apo edhe ndonjë punë me vlerë të caktuar, e cila është e dedikuar masave të caktuara njerëzore, nuk mund të thuhet e të bëhet fjalë për një punë të një gjeniu, pasi që nuk përmban në vete universalitetin dhe mesazhin universal që japin veprat e gjeniut dhe atë punë gjeniu e bënë me shumë me lehtësi. Gjeniu është njeri i cili nuk do t’ia di se me çfarë merren të tjerët dhe se çfarë bëjnë ata, ai është i gatshëm për të bërë çdo gjë që të jetë i krahasueshëm me shekuj. Derisa shkrimtarët bëjnë mund e sakrificë për të futur në veprat e tyre figura stilistike dhe artistike brenda 50 faqesh, (gjeniu ynë Ismail Kadare atë e bënë brenda 3 faqesh). Ta zbulojmë edhe më mirë atë që do t’u mungonte njerëzve të talentuar e që e posedojnë gjenitë.
Derisa gjeniu hap rrugë dhe shtigje të reja që do të mbetet në historinë e muzikës për novatorizmin e sjellë, për universalitetin që ka vepra artistike, për papërsëritshmërinë e saj të bartur me shekuj, talenti nuk e gëzon këtë aftësi edhe pse nuk i mungon puna. Gjeniu është një dhunti e pamposhtur, kurse talenti, një aftësi që i nënshtrohet vullnetit të tij, seriozitetit për të arritur sukses, si dhe përvojës në respektimin e rregullave që i ka dhënë dikush tjetër. Talent – në kuptimin fillestar është një aftësi e veçantë për të ushtruar një zanat apo një punë teknike. Deni Didro thotë: “Sa e sa talenti, mjerisht, ka vdekur pa pasur rastin që të tregonte se kush ka qenë”. Talenti e ka të lehtësuar rrugën e depërtimit të tij, nëse ai e demonstron këtë aftësi dhe të jetë i pandashëm në përpjekjet e tij për të shtrirë këtë aftësi. Të gjithë të talentuarit nuk e kanë fatin e njëjtë (ta gëzojnë talentin e tyre në përparësi me të tjerët), që talentin e tyre ta shfrytëzojnë, ta dëshmojnë po dhe ta avancojnë. Shumë talenteve nuk u jepet rasti apo fare mundësia që të japin atë aftësi intelektuale, një pjesë nuk dinë ta përdorin nga shkaqe të ndryshme, një pjesë mashtrohen me prirjen e tyre, ku nuk i kushtojnë kujdes dhe nuk i përmbahen motos së njohur pedagogjike: se njeriun e bënë të njohur 99 për qind puna, kurse një për qind talenti.
Artisti e regjisori i mirënjohur shqiptar, Pirro Mani, thekson: “Talenti është si prushi që rri poshtë hirit të vatrës. Duhet ta fshish, ta pastrosh që të shkëlqej si një margaritar i madh”. Përveshja e punës sikurse në të gjitha sferat sociale, po ashtu bëhet edhe në art – muzikë, ku veçoria e artit është gjithëkohore për nga vlera, por është i paimitueshëm. Është kaq origjinal, sa që nuk imitohet. Kryeveprat nuk imitohen, ky paraprakisht është ligji estetik. Vlera e të gjithë gjenive është që nuk imitohen. Po marrim një shembull në muzikën e lehtë me këngëtaren Celine Dion. Ajo e ka arritur në fushën e vet këtë pikë, kështu që çdo tentativë për ta imituar, në të vërtetë është dështim dhe dështimi është qysh në pikënisje. Ai që është gjeni nuk merret me Celine Dion-in, por bën diçka që s’e ka bërë askush. Dhe meqenëse majmunët imitojnë – atëherë imitojmë edhe… Dhe këngëtarët e ri, nuk guxojnë ta imitojnë atë. Ose “Bitellsat”, mund të këndohen ato këngë, po ata ishin ashtu origjinal fare dhe po të merremi me imitimin e tyre, do të jemi në situatë të papëlqyeshme me ndërgjegjen tonë humane. Përderisa gjeniu hap shtigje, talenti është i prirur prej një pune të palodhshme dhe të pandërprerë, për të arritur rezultate të kënaqshme (por jo rezultatet e gjeniut). Kjo bëhet me qëllimin e vetëm, sepse nuk e posedojnë privilegjin e gjeniut dhe për këtë arsye duhet të sakrifikohet e të bëjë çdo gjë për të qenë në hap me reflektimin e punës së tyre. Vetëm ushtrimi i talentit e bënë atë të jetë në hap me aftësinë e lindur të atij individi. Mosushtrimi i talentit do të thotë zhdukje, mospërfillje e aftësisë për të bërë gjëra të mira dhe mospajtim me vullnetin tënd.
Por, tek ne ndodh e kundërta (mjafton vetëm të di njeriu ta hap dhe ta mbyll kompjuterin, të di alfabetin muzikor, ta njoh se kush është mësuesi i tij, apo të bëjë atë që njerëzimi e kishte bërë shekuj më parë dhe në mënyrë imediate merr epitetin e gjeniut), kjo është ajo që do të ishte e mirë për t’u studiuar tek ne, me kënaqësinë dhe vetëkënaqësinë e shtuar që e kemi për secilin veprim që bëjmë, pa marrë parasysh se sa ia vlen të diskutohet për një veprim të tillë. Shpresoj që nuk do të ketë dilema rreth asaj që u elaborua (pa inat dhe vetëm me një kritikë të mirëfilltë arrijmë në përmirësimin e gabimeve amatoreske të pjesës intelektuale), por kur duhet theksuar realiteti sado i hidhur që është, sërish pjesa më e ndritur dhe e kapshme e komunitetit me një arsim të lartë do ta kuptojnë hallin ekzistent. Gjeni nuk është çdokush, veçse ai që është gjeni.
*Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë