E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti i Ramës që prodhon humbje

Me dorëheqjen pas zgjedhjeve të korrikut 2005, me ardhjen në pushtet të demokratëve, Fatos Nano e la Partinë Socialiste në vendin e dytë dhe ashtu siç deklaroi dje ne shtyp, pasuesi i tij, Edi Rama, e çoi në vend të katërt, saktësisht në të fundit, se aq ishin pjesëmarrës në garën elektorale të Kasharit. Diferenca e kryetarit demokrat Besnik Fuçia me rivalët e opozitës ishte e thellë dhe kjo tregoi se PD-ja po rikthen kujdes dhe maturi në përcjellje besimi, përzgjedhje individësh që kandidojnë, por dhe mbajtje premtimesh në maksimumin e mundshëm. Kashari ka vendosur që komuna të mos drejtohet nga Edi Rama, partia e tij, pasi kujtesa e kryeqytetit ka para syve masakrën urbane që ka prodhuar ky kryebashkiak. Mos harrojmë këtu tentativën e tij që të përfshinte dhe Kasharin brenda vijës së verdhë të Tiranës, duke dashur më shumë dëshirë e vullnet që të bëhej ai dhënësi i vetëm i lejeve të ndërtimit në zonën më industriale të qarkut. Rama nuk e kishte harruar dashurinë e vjetër ndërtimore dhe këtë herë lakmia e tij industriale për mbarësi të qytetarëve nuk ka fituar. Kashari ka qenë i mençur dhe i kujdesshëm në maksimum në këtë votim të 27 korrikut, ka bërë zgjedhjen e duhur me alternativën e PD, duke mos lejuar betonimin e komunës, ashtu si Edi Rama ka bërë me 90 për qind të Tiranës. “Rama”, kjo firmë betoni nuk ofron besim me gjithë linjën e re të trillimeve që ka përuruar me produktet e përsëritura të modelit “Balla” e “Braçe” dhe me ekuacionin e pazgjidhur e të parrënjë “Gjinushi”. Në Kashar kreu i PS-së me përfaqësuesin e tij është renditur në krye të humbësve dhe kjo ia ka lëkundur besimin brenda ndjekësve, me gjithë reformën për të bërë një PS të re. Dialogu dhe politika e re e lançuar prej afro tre vitesh nuk i kanë sjellë fitore PS-së, që vazhdon të endet në krizën e saj dhe zgjedhjet e së dielës provuan pasigurinë që ka mbjellë kryetari i opozitës. Humbjet e PS-së pas vitit 2005, në zgjedhje të pjesshme kanë një renditje pa ndërprerje. Humbi në Tiranë në zonën 31, në Pogradec, në Shijak, në Kashar, duke humbur tre deputetë dhe një kryetar komune të rëndësishme. Ka humbur gjashtë deputetë të tjerë që i ka përjashtuar pas votimit të Bamir Topit President, ka humbur Petro Koçin të larguar te LSI-ja, ka humbur Bashkinë e Tiranës të cilën e drejton me sms, ka humbur aleancën me Metën që këtë herë e ka parakaluar në klasifikimin e partive të opozitës duke i marrë kryesimin dhe e dërguar aleaten në bokse. Prej pak muajsh ka humbur dhe shërbimet e G99-ës dhe “Mjaft” të cilat po mundohen të marrin pak ekuilibër për të përfituar aksione në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke dëshiruar dëshmi të distancimit nga Rama që i ka mbajtur gjithnjë pranë. Bilanci politik i Ramës nuk është aspak fitues megjithëse prej më shumë se 10 vitesh ai qëndron në pushtet dhe kur forca e tij politike qoftë kur ka qenë pjesëtar apo kryetar humbet gjithnjë. Problemi socialist në këtë rast qëndron në faktin që kryetari mban ende karrigen e drejtuesit në varësi të kompromiseve ekonomike deri në provën e vitit 2009, në zgjedhjet parlamentare ku do të jetë dhe humbja e fundit e Ramës duke qenë në krye të opozitës. Në pikën më të fortë që ka shfrytëzuar gjithnjë kryetari i bashkisë, e që janë investimet, ka mbetur prapa dhe i racionon kopshtet, çerdhet, akset rrugore, 20-50-metërshe, sikur të ishte një grevist urie.

Dueli i investimeve dhe menaxhimit të mirë të parave të taksapaguesve, është shenja e parë e dukshme e sikletit që ka zënë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. I zënë ngushtë në udhëtimin e tij “Tur për në Partinë Socialiste”, një guidë për t’u njohur me partinë, kryetar i së cilës është dhe për ta marrë atë realisht nga ish-lidershipi, kryesocialisti Rama ka menduar se nënkryetari do ta zëvendësojë fort mirë. Problemi ka qenë pak më i lashtë se emërtesa e re, pasi ish-kryebashkiaku ka rënë pre e punës së tij. Duke dashur të transformojë të gjithë sheshet e gjelbra në sheshe ndërtimi, ku prehen pallate, duke dashur të rrisë lartësitë e shtëpive njëkatëshe në 15-20 e 25 kate, Edi Rama është gjendur në kurth. Ai tani nuk ka më se kujt t’i japë leje, nuk ka më se çfarë të ndërtojë. Godinat e pambarim, që kanë hapësirë sa për të kaluar një monedhë ndërmjet, as që bëjnë fjalë të të krijojnë mundësinë e një rruge, apo kanalizimi, por të lejojnë vetëm të ankohesh për ujësjellësin. Duke zgjeruar trotuaret e ngushtuar rrugët, duke rihapur menjëherë investimin e përfunduar para disa ditësh, kjo është oferta e re e Ramës, për të dhënë shfaqje mediatike se ai ende po investon në Tiranë. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës prej muajsh dhe më shumë nuk firmos dosje ndërtuesish dhe ky sektor me sy nga Edi Rama duhet të lutet më shumë se KESH-i për reshje shiu për të mbajtur kuotat larg pikës së vdekjes. Strategjia e investimeve në infrastrukturë që ka bërë qeveria e ka detyruar Edin e parë që të dielave të punojë kryetar bashkie, ndërsa Edin e dytë të bëjë pushim. Dhe në një konferencë shtypi ofron çdo të diel në orare të ndryshme Tiranën evropiane që paska ndërtuar. Tani meqë udhëtimet e kryesocialistit jashtë shtetit janë të shumta, duhet të ketë vënë re që Tirana duke u bërë evropiane nuk duhet të ketë aq shumë ndotje, aq shumë serë, aq shumë plehra, aq shumë firma ndërtimi që nuk respektojnë kontratat me bashkinë dhe prishin tubacionet e ujësjellësve, duke sjellë kaos në banesat e kryeqytetasve. Rrethrrotullimi te Zogu i zi do të ishte ende një katrahurë muresh, mbikalimi i Kamzës do të ishte ende një tender që po shqyrtohej, sistemimi i rrugës në Sauk do ishte sërish në hartë, nëse udhëtari i dialogut do të kishte ndërmend të investonte. Kjo pjesë rrugësh e investimesh që ia kanë bërë evropiane Tiranën, mirë është që kryebashkiaku i rretheve i votuar në kryeqytet, ta pranojë se nuk i ka bërë vetë. Kjo është arsyeja që bashkia mban hapur kanalet prej një viti në mes të Tiranës, që t’u thotë turistëve, emigrantëve, ata që vijnë rrallë në Shqipëri se kryetari i bashkisë së kryeqytetit punon shumë. Dhe për ta bërë evropiane, siç ka merakun, nuk duhet që pasi është votuar të dorëhiqet dhe të kthehet një herë në javë gjysmë ore sa të bëjë një konferencë shtypi. Nuk besoj se ka model evropian të këtij zyrtari, që ka nisur të ankohet se përse investon qeveria në rrugë nëpër fshatra dhe nëpër bashkitë e rretheve. Rama duhet ta falënderojë Berishën që i kujton të kthehet në punë qoftë dhe një ditë në javë, ndonëse kryebashkiaku ka deklaruar largimin zyrtar duke menduar hyrjen në Parlament në vitin 2009. Jo për harresë e lashë në fund ngjarjen e zjarrit në dy pallate te “Rruga e Kavajës”, që për qytetaret socialistë dhe demokratë është një humbje shumë më e madhe se e Ramës në Kashar. Zjarrfikësit nuk munden më të japin ndihmë duke qëndruar kilometra larg vendit të ngjarjes, ambulancat gjithashtu, e kjo nuk është më alarm, kjo është frikë për të ngrysur një natë siguri në shtëpinë tënde. Se nesër mund të shpërthejë një bombol gazi në shtëpinë e komshiut dhe merr flakë e jotja, por kush do ta fikë zjarrin? Edi Rama jeton në Pezë dhe aty hyn zjarrfikësja, sepse është vetëm shtëpia muze ku jeton ai dhe ka oborr e parcela bosh ku mund të hyjnë mjetet e ndihmës dhe emergjencës. Por Peza nuk gjendet në hartën urbane të Tiranës, ajo gjendet vetëm në mendjen ideologjike të Edi Ramës. E për ta bërë bindës “internimin” e Nanos, pasi ka frikë nga prania e tij potenciale e të prodhuarit politikë, ai ka lënë pas dore mendjet e majta si Pëllumbi, Agolli, duke hequr dorë nga mosha e tretë, ku ai ka dhe bazën mbështetëse dhe hera-herës fituese. Këtë e ka zëvendësuar me fondacionin “Qemal Stafa”, një gjetje për të rekrutuar elementë të rinj, por që nuk kualifikohen nëse nuk janë plotësime dhe të nënshtruar qoftë dhe ndaj një sms-je që ai shpërndan shpesh

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›