"Ismail Qemali", rrugë me telekomandë
Kanë përfunduar dje punimet për rikonstruksionin e rrugës "Ismail Qemali", në qendër të kryeqytetit, që do të jetë vetëm për këmbësorët. Ajo i kushtoi Bashkisë së Tiranës 70 milionë lekë. Kryebashkiaku Edi Rama, në përurimin e saj u shpreh se "është mbyllur me sukses një projekt i vogël, por i rëndësishëm për një zonë të parë pedonale në Tiranë. Ata që kanë garazhe nëntokësore mund të hyjnë dhe të dalin lirisht, ndërkohë që parkimi është i ndaluar dhe qarkullimi po ashtu". Qytetarët e zonës që kanë garazhe do të pajisen me pulte komandues për bllokuesit në hyrje të rrugës. Sipas Ramës, ky është hapi i parë për uljen e ndotjes në këtë zonë të Tiranës, ku ka shumë lëvizje këmbësorësh, ku veçanërisht pasdite, gjatë sezonit të verës ka shumë qytetarë, familjarë, fëmijë që kanë dëshirë të lëvizin sa më lirisht. Rruga "Ismail Qemali" gjendet ndërmjet bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe rrugës "Sami Frashëri". Është fare pranë qendrës së kryeqytetit dhe shtrihet në një zonë që karakterizohet nga një zhvillim urban me intensitet të lartë ndërtimi. Rikonstruksioni trajtoi shtrim dhe asfaltim të rrugës dhe shtrim të trotuareve. Është aplikuar edhe ndriçimi rrugor në trup të rrugës.