E Diel, 1 Nëntor 2026

Shamku: Ministria e Arsimit po nxjerr adoleshentët në rrugë

Partia Socialiste ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se po nxjerr adoleshentët në rrugë, me aplikimin e sistemit të ri të shkollimit 9-vjeçar. Sipas kryetares së Komisionit të Edukimit, Ledi Shamku, nxënësit e viteve të para që mbeten në klasë detyrohen të largohen 3 vjet nga bankat e shkollës. Pra të shkojnë drejt braktisjes së saj. "Shefat e arsimit në këtë vend, pa u ndalur as edhe një herë të vetme të dialogojnë me realitetet dëshpëruese të vendit, analizat për këtë vijojnë t‘i zëvendësojnë me improvizime diletante", u shpreh ajo. Në mënyrë të menjëhershme ka reaguar Ministria e Arsimit, përmes zëdhënëses, Brikena Kallçinaku, e cila tha se "është për të ardhur keq që Partia Socialiste, si gjithmonë jo vetëm nuk paraqet alternativë, por ripërtyp të pavërteta, noton në populizëm, dhe më keq akoma tenton të hapë panik te nxënësit dhe prindërit e tyre". Më tej, Kallçinaku ka sqaruar se "nxënësit mbetës të vitit të parë gjimnaz, ashtu si edhe në sistemin e vjetër, do të përsërisin vitin në kushtet e reja". Por për Shamkun, udhëzimi i ri i MASH-it është vetëm një lojë fjalësh që pengon arsimin e mesëm të qindra të rinjve. Sipas saj, nxënësit e klasës IX të shkollës së mesme, që rezultojnë mbetës në përfundim të vitit shkollor, do shlyejnë me provim lëndët e mbetura në pranverë të vitit pasardhës dhe ata që rezultojnë kalues do të regjistrohen në klasën X, e cila në fakt nuk do të ekzistojë në atë vit. Gjatë gjithë këtij viti shkollor, Partia Socialiste ka kritikuar vendimet e dala nga Ministria e Arsimit, qoftë ato për shkollat e larta apo të mesme. Ndërkohë që Ministria e Arsimit i ka cilësuar këto deklarata si qëllimisht manipuluese për masën e gjerë të njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›