E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen të sëmurët, rritet kostoja e rimbursimit të ilaçeve

Numri i personave që përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim sa po vjen e po shtohet. Kjo sepse po rritet numri i pacientëve dhe njëkohësisht po shtohen sëmundjet. Qytetarët që po rëndojnë xhepat e shtetit janë kryesisht ata që vuajnë nga sëmundjet e veshkave, kardiovaskulare apo diabeti. Por jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e të ardhurave të shëndetësisë shkojnë për ilaçe dhe në të njëjtën kohë shqiptarët janë konsumues të tyre, kjo duke e krahasuar me vendet e rajonit. Këto përfundime janë dhënë nga analiza e tregut e kryer nga Instituti i Kujdesit Shëndetësor. Faktin që shqiptarët janë "ilaçedashës" e ka përforcuar edhe më tej studimi i Bankës Botërore, i cili ka arritur në konkluzionin se një pjesë e mirë e shqiptarëve konsumojnë medikamente në masë. Sipas ISKSH-së, shtimi i sëmundshmërisë, rritja e numrit të pacientëve, përdorimi mjaft i gjerë i barnave, kanë sjellë që në tremujorin e parë të vitit, shpenzimet për rimbursimin e barnave të arrijnë në nivele mjaft të larta. Vetëm në muajt e parë të vitit shpenzimet për rimbursimin kanë kapërcyer shifrën 1 miliard e 38 milionë lekë. Në muajin janar janë shpenzuar 337 milionë lekë, në shkurt 346 milionë lekë dhe në mars 354 milionë lekë. Tendenca, sipas specialisteve, është në rritje çka do të thotë se shpenzimet e rimbursimit janë në nivelet e tyre limit, madje mund ta kapërcejnë atë. Lista e barnave me rimbursim e vitit 2008 ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që nuk është bërë publike lista e dytë e rimbursimit që do të funksionojë me bashkëfinancim. Sipas ISKSH-së, në total shpenzimet e parashikuara për rimbursimin për këtë vit janë 2.4 miliard lekë. Sakaq, sëmundjet me rimbursimin më të lartë janë hipertensioni, diabeti, talasemia, insuficenca kardiake, astma, insuficenca kronike e veshkave. Bazuar në një studim të Bankës Botërore, i cili bën një krahasim lidhur me shpenzimet që bëjnë për barnat, vende si Sllovakia, Hungaria, Çekia, Japonia, Greqia, SHBA dhe Holanda, e rendit Shqipërinë të parën për konsumim medikamentesh. Krahasimi i këtyre të dhënave tregon tendencën se Shqipëria kërkon t‘i zgjidhë problemet shëndetësore më së shumti përmes medikamenteve. "Vlerësimet e shpenzimeve farmaceutike përllogariten në 23-32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në Shqipëri", thuhet në konkluzionet e studimit të Bankës Botërore. Sipas specialistëve të BB-së, mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian për barna është 14 për qind e totalit të fondit për shëndetësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›