E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cekja: Deputetët na vodhën profesionin

Humoristin e njohur Sejfulla Myftari (Cekja) e gjetëm të ulur te shkallët e korridorit të qendrës kulturore “Margarita Tutulani” të qytetit-muze. Edhe pse jashtë qytetit njihet si “Cekja i Beratit”, ai tashmë është kthyer në ikonën e humorit shqiptar. Cekja, si gjithmonë është me humor dhe i gatshëm që t’u përgjigjet pyetjeve të intervistës sonë. Biseda me Ceken rrjedh e këndshme, me plot humor, batuta e “thumba” për politikanët. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur ke përballë një artist profesionist dhe me aq shumë përvojë siç është Cekja, një artist që si karburant të shpirtit të tij ka humorin. Në këtë intervistë, Cekja na rrëfen për fi llimet e jetës së tij artistike, karrierën dhe sukseset në vite. Edhe pse është një artist që i është përshtatur dhe i ka rezistuar plot sukses kohës, Cekja thotë se në drejtim të pagës, “më mirë dhe më të vlerësuar kemi qenë në kohën e monizmit”. Ndërsa thumbon politikanët dhe deputetët e parlamentit shqiptar, të cilin e quan “parlaestradë”, humoristi Cekja thotë se atyre duhet t’ju vijë zor e turp që u kanë marrë profesionin e i kanë lënë pa punë.

Si po i përballon Cekja këto ditë të nxehta vere?
Në këto ditë të nxehta të verës edhe krijimtaria fi llon dhe bie. Zakonisht artistët në këtë kohë, që ndryshe quhet periudhë qetësie, i largohen vapës dhe shkojnë për pushime drejt detit, liqeneve apo në vende të tjera ku bën freskët. Por unë në këtë moment ndodhem akoma në Berat, nuk kam ikur me pushime. Tani jam i angazhuar me një koncert që do të jepet në datën 26 të këtij muaj, në lagjen Uznovë, një nga lagjet periferike të qytetit-muze. Koncertin e kam me këngëtaren vlonjate Poni, e cila siç dihet është një artiste shumë e njohur dhe që ka një karrierë dhe bagazh shumë të mirë artistik. Më pas, në 1 korrik, me të gjithë familjen time do të shkoj për pushime në Sarandë.
Kush është pija juaj më e preferuar, në këto ditë kur temperaturat e larta të ndezin edhe nga brenda?
Pa përmendur pijet e tjera freskuese, të cilat nuk para i pëlqej fort, për mua pija freskuese më e preferuar është dhalla. Në Skrapar thonë: 'Dhallë o dhallë, unë hidh ujë, ti prapë i bardhë'. Dhalli përherë është faqebardhë, ndaj për mua ngelet pija freskuese më e mirë dhe e ka hallall.
Ju dukeni gjithmonë në humor; a ka edhe çaste shqetësimesh dhe prishje të humorit Cekja?
Pa dyshim që ka edhe momente të prishjes së humorit. Nuk ka se si të jesh gjithmonë në humor. Humori është profesioni im, por jashtë profesionit edhe unë përballem me shqetësime, probleme, ashtu si gjithë të tjerët, pavarësisht profesioneve që kanë. Pra, nuk do të thotë që, po të jesh humorist je gjithmonë në humor. Njeriu ka edhe halle, probleme familjare e shoqërore, të përkujdesjes për fëmijët, etj. Nuk mund të them se kam probleme madhore, siç mund të kenë të tjerët, por gjithsesi, edhe ne artistët jemi pjesë e këtij realiteti dhe shoqërisë ku jetojmë dhe ku zhvillojmë aktivitetin tonë artistik. Por humori është i lidhur edhe me anën ekonomike të artistit. Nëse një artist i humorit nuk është mirë nga gjendja ekonomike, nuk ka se si t'i burojë humori, ndryshe humori do jetë i shtirur dhe paksa fallco, paksa anemik, dhe jo origjinal.
Mendoni se politika dhe humori parlamentar në veçanti jua ka ulur çmimin e punës dhe se po ju konkurron në mënyrë të pandershme?
(Qesh) Kjo është shumë e vërtetë. Ka kohë që në Shqipëri parlamenti po luan një rol të jashtëzakonshëm, një rol të pazëvendësueshëm, një rol që ne humoristëve na ka nxjerrë në hije. Sepse i gjithë humori ka kaluar në duart dhe gojën e politikanëve dhe parlamentarëve tanë. Humor banal, hakërrim, zhargon nga të gjitha llojet. Veç fjalëve të "zgjedhura" ata aktrojnë me kokë, me duar dhe me këmbë, në foltore dhe nga vendi; të gjitha i gjen në parlaestradën tonë. Parlamenti ynë është bërë si 'Portokallia', por për t'u identifikuar më mirë le të quhet 'parlaportokalli'. Deputetët tanë, ligjvënësit tanë, që na marshin të keqen, kanë shkelur ligjin, po na konkurrojnë në mënyrë të pandershme. Ata janë kthyer në humoristë shumë të mirë dhe si të tillë, na kanë lënë pa punë e pa para. Ne njoftojmë për shfaqje, qytetarët na thonë: "Jo, nuk vijmë dot, se do shikojmë gallatparlamentin". Deputetët na kanë marrë profesionin. T'u vijë turp që po konkurrojnë në mënyrë të paligjshme.
Cila është këshilla juaj për aktorët e rinj?
Unë nuk jam pedagog arti që të jap këshilla, por nga përvoja ime artistike do t'u them atyre që kanë dëshirë për artin dhe duan që të bëhen aktorë, se nuk mund të jesh artist pa pasur ndjenjë e shpirt artisti, sepse pa to del shumë shpejt jashtë skene, pasi je fallco. Ndodh që mund të kesh ndjenjë dhe dashuri për artin, por që të bëhesh artist, veç talentit duhet edhe punë. I madhi Kadri Roshi thoshte se, për t'u bërë artist duhet 1% talent dhe 99% punë. Puna është rrënja që ushqen të gjitha profesionet.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(m.a/Abedin Kaja/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›