E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: BE, garancia kryesore për reformën në drejtësi dhe ndërtimin e institucioneve

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi rolin vendimtar të Bashkimit Europian në procesin e integrimit dhe në konsolidimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Duke folur sot në sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, Rama u shpreh se BE mbetet burimi kryesor i njohurive për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe funksionale.

“BE është burimi i vetëm për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe ky është një proces i transferimit të dijes që Shqipëria e ka një bekim”, deklaroi Kryeministri.

Ai nënvizoi se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm dhe se qeveria mbetet e angazhuar për ta çuar përpara, pa asnjë hap mbrapa.

“Jemi të vendosur që ky proces të mos ketë kthim pas dhe të garantojmë ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtësie”, u shpreh Rama, duke shtuar se mbështetja e Bashkimit Europian është garanci për suksesin e reformës dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

“I gjithë procesi i integrimit dhe negociatave është një proces i transferimit të dijeve nga Brukseli në Tiranë dhe është një bekim, sepse asnjë vend nuk i krijon institucionet me forcat e veta kur paguan çmimin e një vendi pa shtet dhe institucione”, deklaroi Kryeministri.

“Jam besimplotë se ky proces nuk do të ketë kthim mbrapa. Jemi të angazhuar ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces dhe kjo është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, vijoi Rama.

“Nëse BE nuk do të ishte aty dhe shqiptarët nuk do ta dëshironin BE, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie, ose do ta arrinim aq sa e kanë arritur Iraku dhe Afganistani pas përpjekjeve të Perëndimit dhe NATO-s për të çuar demokracinë në këto vende. Ndryshimi është se ne kemi BE dhe ata nuk e kanë”, deklaroi Rama

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›