E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani, ngrihen 5akuza për Arid Ukënautori i radikalizuar

BERLIN- Autoritetet gjermane kanë ngritur 5 akuza mbi Arid Uken, autorin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve në aeroportin e Frankfurtit.

21 vjecari nga Kosova pranoi se ishte autor i krimit të ndodhur të mërkurën, dje përpara se të paraqitej përpara gjykatës federale në Karlsruhe.

Ndërkohë që mbrëmë me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme Federale në Karlsrue u lëshua urdhër-arrest kundër kosovarit.

Ai përballet me dy akuza për vrasje dhe tre akuza për tentativë vrasje, ndonëse hetimet vazhdojnë. Me vendim të gjykatës Uka gjendet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Ministri i brendshëm i Landit Hesse, Boris Rajn ka thënë se bëhet fjalë për një musliman radikal, por sipas tij deri tani nuk ka shenja për lidhje të vrasësit 21 vjeçar me rrjetet terroriste si El Kaida por shtoi se motivi i sulmuesit duket të jetë urrejtja ndaj ushtarëve amerikanë.

Nga ana tjetër forcat amerikane të sigurisë deklaruan se Arid Uka nuk ishte pjesë e ndonjë liste të dyshuarish për lidhje me terrorizmin.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Dejv Lapan tha se ende nuk është e qartë nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në këtë sulm.

"Një nga pikat kyçe të hetimit është të gjejmë nëse ka pasur dhe të tjerë të përfshirë përveç sulmuesit", theksoi Lapan.

Uashingtoni ka bërë publike emrat e ushtarëve amerikanë të vrarë. Ata janë 25 vjeçari Nikolas Alden nga Karolina e Jugut dhe Zakaria Kadbek nga Virxhinia. Ndërkohë dy ushtarakët e plagosur po mjekohen në Klinikën Universitare të Frankfurtit. Njëri prej tyre, i cili u plagos në kokë, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Ndërkohë që ushtaraku tjetër i plagosur nuk është në rrezik për jetën.

Ushtarakët amerikanë ishin të stacionuar në Britani dhe po shkonin në Bazën Ajrore të Ramshtajnit prej nga do të dislokoheshin për të mbështetur një operacion diku tjetër, kanë thënë zyrtarët e ushtrisë amerikane pa dhënë hollësi të tjera. Shtetet e Bashkuara kanë 50 mijë trupa të stacionuara në Gjermani.Ato kanë disa objekte të mëdha ushtarake në rajonin e Frankfurtit, duke përfshirë Bazën Ajrore të Ramshtajnit, e cila përdoret shpesh si nyje logjistike për operacionet në Afganistan dhe Irak.

21-vjeçari nga Kosova banonte në një bllok apartamentesh në lagjen Zosenhajm të Frankfurtit, njoftoi sot media gjermane. Sipas një gazete, apartamenti ku personi i dyshuar thuhet se jetonte me të atin, u bastis nga policia gjermane disa orë pas incidentit të së mërkurës.
(s.g/voa/europaelire/balkanweb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›