E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isufi: Oxhaku si minare, metafora e tranzicionit

Artisti Ardian Isufi

Objekt i Paidentifikueshëm, një ekspozitë që hap debat.

Pas ekspozimit në Vlorë, vijon rrugëtimi në Kavajë, por synimi është Venecia.

Ajo ishte një nga fabrikat e shumta të ngritura në vitet 60-70. Një fabrikë e famshme qelqi, e ngritur në Kavajë, e cila u bë edhe më e famshme pas viteve 90, kur një prej oxhakëve të tij u kthye në një minare. Prej tij nuk dilte më tym, por zëri i hoxhës që thërrisnin besimtarët për të falur namazin. Zhvendosja e funksioneve të këtij objekti është bërë nxitje për artistin Ardian Isufi, i cili e rimerr këtë ide për të hapur një debat, atë të tranzicionit, ndër pjellat e të cilit janë edhe mutacione të çuditshme si ky oxhak, por mbi të gjitha të flasë mbi temën e pranimit të tjetrit, të të ndryshmit. Një provokim artistik, që synon përtej artit. Projektin, të cilin e quan O.P. (Objekt i Paidentifikueshëm), e ka ekspozuar në Vlorë në Galerinë Promenade, ka marrë një ftesë për në Kavajë, ndërsa synimi është Venecia, një kryeqendër arti, por edhe kristianizmi, ku ngritja e një minareje nuk do të kalonte pa u vënë re. Artisti përpiqet ta bëjë atë të kapshëm për publikun, duke e sjellë situatën sa më të plotë përmes videoprojeksioneve, maketeve, fotografive, pikturave, elementeve dokumentare. Sipas Isufit, as besimi nuk i shpëton dot tranzicionit të përgjithshëm dhe, kur flasim për këto tema, është mirë të jemi sa më realistë. Në situata të tilla paradoksale nuk mund të mos jesh i ngarkuar edhe nga doza vetironie, të cilat në fund të fundit i shërbejnë debatit. Si pjesë të ekspozitës, Isufi bën edhe projektin Vdekja e artistit, e cila fokusohet drejtpërdrejt tek realiteti artistik në Shqipëri.
Projekti juaj më i fundit ka në qendër një oxhak-minare të famshme në Kavajë, cila ishte nxitja për ta riaktivizuar këtë objekt?
Koncepti i tranzicionit që na shoqëron, është në thelb të projektit. Pjesë e këtij tranzicioni është edhe ai i besimit, i simbolizuar nga një objekt i para 90-s, i cili humbet funksionin e parë për tu kthyer në një objekt besimi. Është një objekt i çuditshëm, por që ka një funksion të pastabilizuar. Është një element qendror tek i cili u stacionova. Momenti i dytë ka të bëjë me përballjen e tij me një identitet tjetër, siç është Venecia, por jo vetëm. Kemi të bëjmë me një identitet, religjion, publik, kulturë tjetër. Sot zien debati mbi të pranuarin e tjetrit me identitetin, origjinën dhe besimin që ka. Ky debat ka qenë shumë i gjallë edhe në New York, me miratimin e ngritjes së një xhamie në Ground 0, në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake. Pra është një diskutim global.
Ju keni aplikuar për ta instaluar këtë projekt në Venecia…

Nga ekspozita Objekt i Paidentifikueshëm. (Lart) Pamje grafike e instalimit të mundshëm në Venecia. (Poshtë) Oxhaku-minare në qendër të Kavajës

Aplikova në Venecia edhe pse e dija që do të ishte shumë e vështirë për tu pranuar, sepse i kalon përmasat artistike. Është një projekt politik e social, ku arti është vetëm hapi i parë për të kaluar përtej. Tashmë ndërhyrje të tilla janë shumë të përhapura në artin bashkëkohor, ku artistët përdorin artin si nxitje për të folur edhe përtej tij. Duke qenë një projekt shumë ambicioz e duke qenë se sfera politike është shumë afër, ndjeja riskun e mospranimit. Por edhe për një fakt tjetër: kuratorja e bienales i përket asaj kategorie që nuk është marrë me ngjarje specifike artistike, të cilat krijojnë pështjellime apo zhurmë përtej artit. Njëkohësisht projekti kërkonte një referent të besueshëm, sepse ne i përkasim një vendi të vogël, që është jashtë sistemit të artit. Kështu kemi dëmtuar vetveten, pasi nuk kemi referenca të tilla, që edhe kuratorë si ata të Venecias të kenë besim. Ndaj unë e ndieja veten të dëmtuar qysh në nisje, por ishte shumë e madhe dëshira për të hapur një debat, një pikëpamje të re dhe hapësirë të re diskutimi në një vend ku ndihet pesha e rëndë e religjionit. Do të ishte një konfrontim interesant, që do nxiste debatin e pranimit.
Ndërsa ende nuk i keni humbur shpresat për ta ekspozuar projektin tuaj në Venecia, ia prezantoni atë publikut, jo në Tiranë, por në Vlorë, përse?
Në fakt, ne mendojmë se Tirana ka ekskluzivitetin e debatit të lartë artistik apo intelektual, por ndërkohë ka edhe qendra të tjera si Galeria Promenade, e cila përpiqet të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Meqë projekti im ka si pjesë të tijën debatin, pashë që ecte paralelisht me objektivat që ka kjo galeri. Por ndërkohë ky projekt ka ardhur dhe pas një diskutimi e debati të mëparshëm me galeristin Artan Shabanin. Duhet ta pranoj se projekti ka marrë pëlqimin edhe nga disa artistë dhe kuratorë të huaj, kryesisht italianë, për ta risjellë në skenë këtë objekt. Shpresoj që së shpejti të gjejë mirëkuptimin për tu vendosur në Venecia, apo në një hapësirë tjetër të ngjashme.
Pjesë të projektit ju keni bërë edhe ritin që kryhet në të…
Pavarësisht se kemi objektin, ai merr jetë nga njerëzit. Është një njeri, që ngjitet aty dhe kryen ritin fetar. E ndërsa sheh hoxhën duke u mbajtur atje lart, më vjen në mend filmi Titaniku, personazhi i filmit, Roz, mbahet pas hekurave të anijes. Të dyja ngjarjet i lidh një paradoks dhe, kur nis e i ndërthur të dyja, kupton se sa të izoluar jemi në perceptimet tona dhe se si ky izolim kthehet në pjesë të një industrie gati vanitoze. Vetë personazhi i hoxhës kryen një funksion, ushtron një rit tek i cili beson, i vendosur jo në vendin dhe në kontekstin e duhur. Ndërsa në film flitet për një dashuri idilike, në një kontekst të pazakontë dhe që sot duket e tejkaluar pa bazë.
Dihet që ky objekt është i vendosur në qendër të Kavajës, sa i pranishëm është qyteti në performancën tuaj?
Kavaja fatkeqësisht më duket si një qytet që i përket botës së tretë. Kur kalon andej, sheh pa fund rezervuarë uji dhe minare xhamie dhe gjen përballjen paradoksale të kullës së ujit dhe kullës së besimit. Në një kontekst tërësisht kaotik gjen simbiozë edhe ai objekt që është në trazicion mes së shkuarës dhe së tashmes, oxhakut të fabrikës dhe minares.
Historia shqiptare është e mbushur me dëshmi mbivendosjesh, mos është ky një paradoks, prej të cilit jemi të destinuar të mos ndahemi?
Ky objekt është metaforë e gjërave të mbivendosura, të cilat dalin pa kuptim për shkak të këtij shtresëzimi. Kjo ka ndodhur qysh në krye të herës, por sot nuk na takon që ne, si pjesë e Europës, të vazhdojmë të kemi të njëjtin mentalitet të shkuar. Kjo ndodh në shumë aspekte, mes të cilave dhe në kulturë, por ky është ndoshta objekti që e simbolizon më së miri këtë situatë kaotike dhe të qenët peng i mentalitetit të vjetër, nga i cili nuk po shkëputemi dot. Pavarësisht se në pamje të parë janë bërë shumë ndryshime pozitive, nuk ka ndodhur ajo dallga e madhe e ndryshimit të mentalitetit. Shohim që kudo ekziston koncepti i Njëshit dhe në këtë situatë, edhe ky personazh kaq dramatik, gjen vetveten tek Njëshi në këtë objekt të çuditshëm, ku parado

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›