I çmenduri i pavijonit 3, një triller psikologjik në treg
Me një triller psikologjik, shkrimtari Leonard Veizi u rikthehet botimeve. Shtëpia Botuese Omsca-1 sapo ka nxjerrë në qarkullim romanin I çmenduri i pavijonit 3. Kjo është vepra më e fundit e gazetarit dhe shkrimtarit Leonard Veizi. I çmenduri i pavijonit 3 është një triller psikologjik. Ndonëse ngjarjet ndodhin dhe personazhet lëvizin brenda një hapësire të kufizuar, ato janë dinamike dhe secili prej tyre shfaqet me një profil të qartë dhe të plotë. I çmenduri i pavijonit 3 është një vepër që shquhet për një frymëmarrje të gjerë, brenda së cilës ndeshen misteri dhe realiteti, pasioni dhe imagjinata, ambicia dhe pamundësia. Ngjarjet që zhvillohen në roman nuk shfaqen si qëllim në vetvete, por atë burojnë natyrshëm nën peshën e kohës në të cilën ndodhin. Mospërcaktimi i një vendi të caktuar gjeografikisht dhe mënyra e trajtimit të veprës i japin asaj një përmasë të madhe. I çmenduri i pavijonit 3 është i shtati në radhën e botimeve të autorit. Të parin vëllim me novela, titulluar Grahma e shpirtit të mjegullt, Veizi e ka botuar në vitin 1997, për të vijuar me përmbledhjet me tregime Ngrehina e përhumbjes, Treni i fundit i metrosë, I dënuar me vdekjen dhe dy romanet Surpriza e natës së fundit dhe Rrëfimi.
Titulli: I çmenduri i pavionit 3
Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 288
Çmimi: 800 lekë