E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isufi në krye të Hajvalisë

Hajvalia e ka bërë një rokadë të papritur në shtabin teknik. Kryesia e klubit në postin e trajnerit në vend të Emin Bajramit, e ka angazhuar Bekim Isufin. Ish-trajneri i Dritës synon që në pranverë me ekipin e ri t’i bëjë ‘telashe’ skuadrat e tjera të Superligës.

Edhe pse edicionin vjeshtor e përfundoi në vendin e gjashtë të renditjes tabelore, falë paraqitjeve të mira, Hajvalia ka vendosur ta angazhojë një tjetër trajner, në vend të Emin Bajramit.

Skuadra e re e Superligës së Kosovës në futboll postin e shefit të shtabit teknik edhe zyrtarisht ia ka besuar Bekim Isufit, i cili në kampionatin e kaluar me sukses e pati udhëhequr Dritën e Gjilanit. Ndërkohë, trajnerin e deritanishëm, Emin Bajramin, krerët e klubit e kanë zbritur në pozitën e ndihmësit të Isufit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Isufi, i cili u shpreh të jetë i kënaqur që në sezonin pranveror do ta udhëheqë Hajvalinë.

“Kam arritur marrëveshje gjashtëmujore me Hajvalinë, por me mundësi të vazhdimit të kontratës. Ndihem i kënaqur”, tha Isufi, i cili me ekipin e tij të ri në pranverë synon t’i bëjë telashe të gjitha skuadrat e tjera elitare.

“Tashmë nga skuadra janë larguar shumë futbollistë të rëndësishëm. Por, kemi kohë që t’i mbulojmë ato zbrazëtira”, shtoi ai.

“Ende ka kohë deri në fillimin e sezonit pranveror. Deri atëherë do të përgatitemi maksimalisht që ta bëjmë një skuadër shumë stabile. Duam të luajmë rol të rëndësishëm në Superligë dhe të jemi një skuadër e respektuar nga të gjitha ekipet e tjera”, theksoi Isufi, i cili ndihet i kënaqur që paraardhësi i tij, Emin Bajrami ka pranuar ta ndihmojë drejt sukseseve ekipin e Hajvalisë.

Edhe vetë Bajrami i ka uruar suksese Isufit, ndonëse thekson se Hajvalia nuk kishte nevojë për t’ia ndryshuar pozitën.

“Edhe pse e patëm një sezon të mirë falë paraqitjeve të mira, Kryesia ka vendosur ta angazhojë Bekim Isufin në postin e trajnerit. Ndërsa, mua më emëruan ndihmëstrajner. Isufit i uroi sukses, e unë do të vazhdoj ta ndihmoj me gjithë maksimumin tim Hajvalinë drejt sukseseve”, tha Bajrami.

Duhet theksuar se nën udhëheqjen e Bajramit, ky ekip sezonin vjeshtor e përfundoi në vendin e gjashtë të tabelës së klasifikimit me 24 pikë, falë shtatë fitoreve e tri barazimeve krahas shtatë humbjeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›