E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi, Statovci e Zeneli përforcojnë Llamkosin

Për drejtuesit e Llamkos Kosovës nuk po ka pushim, ndonëse edicioni vjeshtor në Superligë ka përfunduar. Vushtrriasit po vazhdojnë ta përforcojnë me të madhe skuadrën e tyre për edicionin pranveror.

Pas Labinot Osmanit e Faton Zejnullahut, bardhekaltrit i kanë siguruar shërbimet edhe të tre futbollistëve të tjerë cilësorë.

Ekipi i Luan Prekazit tashmë është përforcuar me Faruk Statovcin, Festim Krasniqin dhe Semir Zenelin, të cilët gjatë vjeshtës i mbrojtën ngjyrat e Hajvalisë. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi.

“Me të tre këta futbollistë kemi arritur marrëveshje dhe kjo na ka bërë të lumtur. Kontratat me Statovcin, Krasniqin e Zenelin do t’i nënshkruajmë të hënën”, deklaroi Munishi për Express.

Ndërkohë, Express mëson se të hënën Llamkos Kosova mund të nënshkruajë kontratë edhe me Bajram Zuqakun.

Llamkos Kosova po bën përpjekje që ta konsolidojë sa më mirë ekipin për sezonin pranveror, ngase gjatë vjeshtës pati bilanc negativ të rezultateve, duke përfunduar në vendin e parafundit me 16 pikë.

Llamkos Kosova vazhdon me Prekazin

Drejtori i Llamkos Kosovës u ka dhënë fund spekulimeve në lidhje me një shkarkim të mundshëm të trajnerit Luan Prekazi. “Luan Prekazi është dhe do të jetë edhe në pranverë trajner i Llamkos Kosovës. Ne jemi të kënaqur me punën e tij dhe kemi besim tek ai”, theksoi Munishi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›