Itali, 10 vjet Grupi Ndocaj
Italia ka ndjerë punën e palodhur të shqiptarëve dhe kontributin e tyre në ekonominë e vendit. Është Grupi Ndocaj, biznes i shqiptarit Eduart Ndocaj nga Lezha, i cili festoi në Itali 10 vjet punë intensive dhe të suksesshme, duke kontribuar si në ekonominë e vendit fqinj, por në imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Data 15 janar 2011 shënoi për grupin Ndocaj një ditë festive. Në një mbrëmje gala, në një restorant luksoz në Solaro, presidenti i këtij grupi festoi 10-vjetorin e krijimit të tij. Aktiviteti i grupit Ndocaj shtrihet në zonën e Lombardisë, ndërsa qendrën e ka në komunën Solaro, provincë e Milanos në Itali. Në 10 vjet punë dhe suksese, presidenti i grupit Ndocaj, z. Eduart Ndocaj, emigrant nga Lezha, ka themeluar 10 ndërmarrje. E ka nisur veprimtarinë me E.M. Ndocaj, kompani individuale e më pas me EFG Costruzioni, Ndocaj Costruzioni, G.P.M. Costruzioni, EFFEGI Costruzioni, EFG Costruzioni, GIS Group, Akuila Costruzioni, Ndocaj Consorzio Construzioni dhe K.E.I. Costruzioni, të gjitha të grupuara në Ndocaj Grup. Në mbrëmjen gala, në një ambient plot me flamuj shqiptarë, italianë e të komunitetit europian, kishte të ftuar punonjës të grupit, italianë e shqiptarë, kompani e banka italiane që kanë mbështetur aktivitetin 10-vjeçar të grupit, ambasadorin shqiptar në Romë z. Llesh Kola, deputetin e Parlamentit shqiptar z. Gjovalin Kadeli, këshilltarin e kabinetit të kryeministrit italian z. Edoardo Biaxixo, kryetarin e komunës Solaro z. Renzo Moreti, si dhe këngëtarët Bujar Qamili, Artiola Toska, Hajredin Gjeta e vëllezërit Lleshi. Në një atmosferë festive, në fjalën e tij presidenti i grupit Eduart Ndocaj përshëndeti dhe falënderoi të gjithë ata, që për 10 vjet kanë mbështetur e punuar me grupin Ndocaj. Ai ndau çmime për persona e kompani, si për z. Davide Festa, për mbështetje të jashtëzakonshme, firmën Colombo Costruzioni, për bashkëpunimin prej 5 vjetësh, Alfred Ndocaj si menaxheri më i mirë në 10 vjet, Gjokë Sogja e Agron Kthella, për kontributin e pazëvendësueshëm në 10 vjet, si dhe Simon Marku si punonjësi më i mirë në 10 vjet. Mbrëmjen e përshëndetën dhe ambasadori Llesh Kola, si dhe deputeti Gjovalin Kadeli, të cilët theksuan se suksese të tilla i bëjnë të gjithë shqiptarët të ndjehen mirë e krenarë.