Urdhri i Bodes, asnjë pagesë pa firmë e vulë
Në proces të përmbylljes së buxhetit të vitit 2010, ministri i Financave Ridvan Bode ju ka drejtuar bankave të nivelit të dytë, tatimeve, doganave dhe institucioneve të tjera të pagesave, si çdo tepricë buxhetore e vitit që shkoi duhet të dokumentohet zyrtarisht me firmë e vulë, për shkak se këtë vit ndryshe nga vitet e tjetra, ata do të mbarten në mënyrë automatike në buxhetin e vitit 2011. Në muajin dhjetor të vitit që shkoi, u dërgua nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, procedura e regjistrimit të gjendjes së mbartur të debitorëve, kreditorëve dhe inventarit. Në fund të muajit janar të vitit 2011 do të gjenerohet nga sistemi i thesarit raporti i “Gjendjes financiare” të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, që përmban të gjitha transaksionet e debitorëve, kreditorëve dhe inventareve, i cili pas rakordimit do të konfirmohet me firmë e vulë, thuhet në udhëzimin e Bodes. Duke qenë se, mbartja e fondeve do të bëhet në mënyrë automatike këtë vit, ministri Bode ka kërkuar nga shumë saktësi në veprimet e administratës për zbatimin e formulës së re të mbylljes së buxhetit. Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në fakt përdorimin gjatë vitit 2011 të 5 miliardë lekë teprica buxhetore, që rridhnin nga disa zëra të parealizuar në buxhetin e vitit 2010. Kjo shumë u alokua në programin “Rrjeti i Rrugëve Nacionale”. Këto fonde shtesë akordohen si pasojë e realizimit në masën 99% të fondeve të investimeve me financim të brendshëm në këtë program dhe avancimit të punimeve në disa projekte në vazhdim, përtej parashikimeve për këtë periudhë. Kjo shumë prej 5 miliardë lekësh u krijua nga shpenzimet për interesa, të cilat u reduktuan në masën 1.65 miliardë lekë, si rrjedhojë e menaxhimit efektiv të borxhit publik, si edhe kursit të favorshëm të këmbimit. Gjithashtu në këtë fond, që mbartet më 2011, ndikoi rikthimi i plotë në buxhetin e shtetit i huasë së marrë nga KESH sh.a, mbi parashikimin e bërë në buxhetin e rishikuar 2010, në masën 3.4 miliardë lekë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë vitit që shkoi, por edhe gjatë këtij viti ka nxjerrë një sërë udhëzimesh dhe urdhrash për disiplinimin e fondeve buxhetore. Ministri e Financave, nëpërmjet udhëzimeve të posaçshme që nxori gjatë vitit 2010, saktësoi se fondi i pagave nga Ministria e Financave disbursohej vetëm bazuar në listëpagesën që institucionet duhet të dorëzonin para çeljes së fondeve nga thesari. Një grup i posaçëm në Ministrinë e Financave merret në vazhdimësi me disiplinimin e fondit të pagave. Rezulati i punës lidhet me një nga propozimet që ka të bëjë me përfshirjen e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, në ligjin e buxhetit të vitit 2011. Ndërsa qeveria do të përfshijë në reformë shpenzimet e personelit që kanë lidhje me pagat.