Itali, 6 shqiptarë arrestohen për trafik droge brenda ditës
ITALI Gjashtë persona nga Shqipëria janë arrestuar dje në Itali, me akuzat për trafikim dhe shpërndarje droge. Katër shqiptarët e parë ranë në pranga gjatë një aksioni të Prokurorisë së Antimafias në Trieste. Aksioni, i cili është koduar me emrin Uzo, është finalizuar me arrestimin e katër shqiptarëve dhe me sekuestrimin e 53 kg. lënde narkotike marijuanë. Policia italiane njoftoi se kishte disa muaj që i ndiqte katër shqiptarët dhe ka vepruar ndaj tyre pikërisht në momentin kur ata ishin duke u përgatitur që të kryenin transportimin e lëndës narkotike nga Trieste në drejtim të Venecias. Gjatë ditës, katër shqiptarët kryenin punë të zakonshme në ndërtim, ndërsa gjatë natës dhe në fundjavë merreshin me trafikimin e lëndës narkotike. Hetimi disamujor ka zbardhur edhe mënyrën si vepronte rrjeti i shpërndarjes së drogës me anë të përgjimit të telefonatave. Po kështu, policia ka vëzhguar në terren veprimet e kryera nga katër shqiptarët gjatë aktivitetit të tyre kriminal. Policia tha se vlera e drogës së bllokuar dje shkon në 160 mijë euro, ndërsa janë sekuestruar gjatë aksionit dy automjete dhe pesë telefona celularë, të gjitha këto, prova të vlefshme për hetimin e çështjes. Ndërkohë, po dje, Policia italiane tha se ka arrestuar dy të rinj shqiptarë të fejuar mes tyre, të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale mbajtje dhe shpërndarje të drogës. Policia e vendit fqinj ka deklaruar se dy shqiptarët janë arrestuar në Fano, ku sipas hetuesve çifti i të fejuarve akuzohet për shpërndarje droge. Shtetasit me iniciale J.B, 30 vjeç dhe G.A. 22 vjeçe, të fejuar, akuzohen se shpërndanin hashash dhe kokainë në zona të populluara në Lido dhe Sasonia. Policia italiane bëri të ditur se ka sekuestruar në shtëpinë e tyre edhe 110 gramë hashash, 15 gram kokainë, një peshore elektronike dhe material që përdorej për të ambalazhuar dozat.