Vetëvritet ushtari profesionist

Artan Doçi, ushtari i vetëvrarë
Një ushtar profesionist i Forcave të Armatosura u vetëvra me armën e shërbimit, në repartin ushtarak ku ishte i punësuar në periferi të Tiranës.Babai i dy fëmijëve të mitur, 30-vjeçari Artan Doçi, ka qëlluar veten me një plumb në zemër, pasi sipas Policisë po kalonte një depresion të shkaktuar nga borxhet e shumta që kishte. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, në repartin ushtarak që ndodhet pranë malit të Dajtit në Tiranë. Trupi i pajetë i të riut u gjet nga kolegët, të cilët pasi dëgjuan krismën e armës, vrapuan për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ata lajmëruan menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr.4, si dhe familjen e Artan Doçit, që banon në rrugën Dalip Topi, në kryeqytet. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e lajmëruar, duke rrethuar vendin e ngjarjes e konstatuar se 30-vjeçari kishte ndërruar jetë. Pranë tij është gjetur edhe arma me të cilën ai ka kryer vetëvrasjen. Sipas burimeve nga policia, mësohet se krimi është kryer me një armë tip Kallashnikov, që Artan Doçi e mbante gjatë shërbimit. Sipas ekspertëve, arma është shkrepur nga vetë viktima, pasi i janë gjetur faktorë plotësues në dorë, duke vërtetuar në këtë formë vetëvrasjen me një plumb në zemër. Në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në shtëpinë e viktimës janë kryer kontrolle nga grupi hetimor, por nuk rezultonte asnjë letër e fundit, ku ai mund të shpjegonte arsyet e vetëvrasjes. Nga këqyrja e telefonit ka rezultuar se mbrëmjen para se të ndërronte jetë, Artan Doçi kishte komunikuar me babanë e tij.
HETIMI
Grupi hetimor që po verifikon rrethanat e vetëvrasjes së ushtarit 30 vjeç, Artan Doçi, ka marrë në pyetje familjarët e tij, si dhe miqtë më të afërt. Babai i viktimës, është shprehur në polici, se djali i tij e kishte paralajmëruar në një farë mënyre për veprimin që do të kryente. Megjithatë ai ka thënë se në asnjë moment nuk e kishte besuar që Artani do arrinte vërtetë deri në vetëvrasje. Ndërkohë miqtë e viktimës kanë deklaruar në polici, se Artan Doçi, po kalonte një periudhë të vështirë, madje gati kishte kaluar në depresion dhe ndonjëherë bënte veprime të pakontrolluara. Sipas tyre, Artani kishte rreth një javë që luante vazhdimisht në lokalet e lojërave të fatit, në kazino të ndryshme dhe kishte humbur shumë para. Në rastin e fundit ai kishte humbur edhe rrogën, duke mos pasur mundësi të dërgonte në shtëpi asgjë për fëmijët. Kjo sipas dëshmitarëve mund të shpjegojë veprimin e tij, pasi nuk kishte asnjë motiv tjetër. Artan Doçi sipas policisë kishte disa kohë që luante bixhoz dhe sipas miqve edhe pse ishte betuar disa herë që do të hiqte dorë nga lojërat e fatit, asnjëherë nuk kishte mundur të shkëputej dot. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkaku u vetëvrasjes së 30-vjeçarit dyshohet të jetë pikërisht bixhozi dhe borxhet e mëdha që i kishin sjellë lojërat e fatit.
ARMA
Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë tip Kallashnikov, me të cilën dyshohet të jetë vetëvrarë ushtari 30-vjeçar. Ekspertët kanë fiksuar gjurmët e gishtave, si dhe një gëzhojë që i përket kësaj arme. Automatiku ka qenë mjet i kryerjes së shërbimit nga 35-vjeçari.
Babai, djali më tha: Përgatitu për mort
TIRANE – Personi i fundit me të cilin ka kontaktuar ushtari Artan Doçi para se të vetëvritej, ka qenë babai i tij, Niko Doçi. Ditën e enjte, para se të ndodhte ngjarja, Artani kishte takuar të atin kur po dilte nga shtëpia dhe e kishte paralajmëruar se diçka do ndodhte, duke i thënë që ti mbanin hapur dyert e shtëpisë. Babai nuk e ka kuptuar se çfarë donte të thoshte i biri me këtë frazë dhe e kishte pyetur sërish, por ai i ishte përgjigjur se do e merrte vesh shumë shpejt. Ky ka qenë takimi i fundit i tyre, ndërsa para se të vetëvritej, 30-vjeçari e ka marrë në telefon për herë të fundit Niko Doçin, duke i përsëritur atë çfarë i kishte thënë në shtëpi. Gjatë deklarimeve që ka dhënë për grupin hetimor, babai i viktimës ka treguar bisedën që kishte bërë më të birin në telefon, pak para mesnatës të së premtes. Më tha që të hapnim dyert e shtëpisë dhe të bëheshim gati për mort. Unë këmbëngula që ta pyesja më shumë se çfarë donte të thoshte më këtë, pasi ma kishte thënë edhe më parë në shtëpi, por ai nuk e zgjati më shumë bisedën. Më tha që do e kuptonim shumë shpejt të gjithë dhe ma mbylli telefonin, ka deklaruar në polici babai i viktimës. Nga ana tjetër, babai ka rrëfyer për grupin hetimor edhe dyshimet e tij në lidhje me vetëvrasjen e të birit, duke treguar se ditët e fundit ai kishte mbetur pa para dhe thoshte se në punë nuk i kishin dhënë akoma rrogën. Por sipas Niko Doçit, ai nuk ishte në dijeni se Artani luante bixhoz, ashtu siç kishin deklaruar miqtë e tij, por edhe kjo mund të jetë arsyeja.
Tiranë, vetëvaret nga papunësia 56-vjeçari
TIRANE – Një 56-vjeçar i ka dhënë fund jetës dje në mbrëmje në Tiranë duke u vetëvarur në banesën e tij. shtetasi Riza Sufa, 56 vjeç, është vetëvarur në banesë në orët e vona të mbrëmjes. Ngjarja ka ndodhur në një apartament në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë. Policia tha se viktima prej kohësh ka qenë i papunë ndërkohë që sipas të dhënave hetimore të grumbulluara ka rezultuar se ai jetonte në kushte të papërshtatshme ekonomike. Menjëherë pas njoftimit të marrë në lidhje me vetëvarjen e 56-vjeçarit policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe filloi hetimet. Dyshimet kryesore janë se viktima e ka kryer vetëvarjen nga kushtet e rënda ekonomike dhe pamundësia për të gjetur një punë. Grupi i hetimit deri mbrëmë rreth mesnatës ka vazhduar me mbledhjen e deklarimeve dhe provave në vendin e ngjarjes.
ETLEVA DELIA