Fier, gjendet i vrarë ish-polici

Vendi ku u gjet i vrarë, Ylli Kalemaj
Vritet me armë zjarri një 46-vjeçar nga fshati Cakran i Fierit. Viktima, Ylli Kalemaj, baba i tre fëmijëve, është vrarë në një pjesë të autostradës Levan- Tepelenë, ku ai punonte si roje private i mjeteve të kompanisë ndërtuese.Policia bëri të ditur se viktima u gjet dje në mëngjes, rreth orës 08:30, nga një emigrant që ishte nisur drejt Kakavijës. Për shkak se rruga është në ndërtim, në vendin ku ndodhi ngjarja ka shumë pak lëvizje mjetesh. Kjo ka ndikuar që viktima të gjendet vetëm në orët e mëngjesit, ndonëse dyshohet se ai është ekzekutuar gjatë natës. Krimi ka ndodhur në afërsi të fshatit Gorishovë të komunës Cakran, ku edhe jetonte i ndjeri. Ngjarja ndodhi në pjesën ende të papërfunduar të autostradës Levan – Tepelenë. 46-vjeçari është vrarë nga persona ende të paidentifikuar, për shkaqe që mbeten ende mister, bëri të ditur Policia. Por, paraprakisht dyshohet se krimi mund të ketë lidhje me detyrën e 10 viteve më parë të viktimës, në Komisariatin e Ballshit.
Nga e hetimet e kryera gjatë ditës së djeshme, Policia bëri të ditur se viktima ka pasur një thirrje telefonike nga personi që dyshohet se e ka vrarë atë. Për këtë shkak, është duke u hetuar në bashkëpunim edhe me kompanitë celulare për të marrë të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Dyshohet të kenë qenë të paktën dy persona që kanë vrarë 46-vjeçarin. Kjo edhe për shkak se në trupin e viktimës janë gjetur plumba të dy armëve të ndryshme, ku njëra dyshohet se është automatik i kalibrit të vogël. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se viktima ka lënë takim me vrasësin pas thirrjes që i është bërë me telefon. Të njëjtat burime thanë se ka dyshime se edhe autori të mund të jetë plagosur gjatë përleshjes që ka pasur me viktimën.
Policia tha se 46-vjeçari ka gjetur vdekjen nga një plumb në kokë, ndërsa kishte marrë edhe plumba të tjerë në trup. Në vendngjarje është gjetur automjeti tip Benz i tij, me gjurmë gjaku si dhe gëzhoja armësh zjarri. Polica ende nuk ka dhënë një version për shkaqet e ngjarjes, pasi, nga dëshmitë e marra deri më tani, ka rezultuar se ai nuk ishte person problematik dhe nuk kishte pasur konflikte me persona të tjerë. Blutë kanë marrë në pyetje edhe disa punëtorë të autostradës Levan- Tepelenë, por mësohet se dëshmitë e tyre nuk ndihmojnë në ecurinë e hetimeve. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se pista në të cilën janë përqendruar për momentin ka të bëjë me pronësinë. Kjo për shkak se për kullotat e këtij fshati ka pasur disa herë konflikte ndërmjet banorëve, por, gjithsesi, ende nuk ka të dhëna konkrete për konflikte të hapura të 46-vjeçarit me persona konkretë. Blutë thanë se nuk përjashtohen as pista të tjera. Janë kryer hetime edhe në spitale për të gjithë personat që mund të jenë paraqitur të plagosur apo me dëmtime të tjera.
20 persona
janë shoqëruar në polici, si të dyshuar se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Por, pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë sërish të lirë. Blutë kanë ngritur postblloqe në të gjithë zonën për kapjen e autorëve
FIER/ MAJLINDA RAMA