Itali, Dhoma e ulët e parlamentit voton sot planin e qeverisë

Kryeministri i ri italian, Mario Monti, ballafaqohet sot me votimin e dytë për votëbesim në Dhomën e Ulët, pasi të enjten qeveria e tij e teknokrate, e kaloi testin e parë, duke e fituar votëbesimin në Senat.
Kryeministri Monti paraqiti programin e tij të reformave, për të nxitur rritjen ekonomike të Italisë dhe për të ulur borxhin e madh publik, duke thënë se masat e kursimit do të jenë të balancuara nga “rritja dhe kapitali”. Por, partia e krahut të djathtë, Liga e veriut, nuk i dha mbështetje.
Ndërkohë, mijëra studentë kanë marshuar në qytetet në gjithë Italinë, për të protestuar kundër uljeve të shpenzimeve. Raportohet për përleshje ndërmjet policisë dhe demonstruesve në disa qytete. Në fjalën e mbajtur në seancën parlamentare kryeministri Monti prezantoi programin qeveritar, ndërsa u votëbesua së bashku me kabinetin e tij të përbërë nga teknicienë me 281 vota pro dhe 25 kundër.
Monti, paraqiti programin e qeverisë me masa shtrënguese, duke thënë se aftësia e Italisë për të zgjidhur krizën e borxhit të saj është kritike për të ardhmen e euros. Gjithashtu kreu i qeverisë italiane tha se ai mund të rikthejë një taksë të papëlqyeshme të pronës që u eliminua nga paraardhësi i tij, Silvio Berluskoni, i cili dha dorëheqjen të shtunën e kaluar.
Kryeministri italian gjithashtu tha se do të konsiderojnë rregullimin e gjithë sistemit të taksave për të ulur taksat për punëdhënësit dhe për punëdhënësit që punësojnë gratë. Ai tha se kalimi i barrës tatimore nga punëdhënësit tek konsumatorët do të nxisë rritjen ekonomike.