Lavrov: Jemi duke shqyrtuar hollësisht kërkesën e serbëve

Rusia ka shqyrtuar hollësisht kërkesën e serbëve nga Kosova për të marrë shtetësinë ruse, por ajo duhet të respektojë ligjin e saj për shtetësinë. Kështu deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov duke iu referuar kërkesës së 21 serbëve të veriut të Kosovës për shtetësi.
“Ne kemi shqyrtuar hollësisht letrën e tyre. Duhet të veprojmë duke u nisur nga një sërë faktorësh. Në Rusi ekziston ligji për shtetësinë, i cili përcakton procedurën e dhënies së shtetësisë qytetarëve të huaj”, iu tha Lavrov gazetarëve në Moskë.
Në këtë mënyrë ra poshtë kërkesa e serbëve nga Kosova për të marrë shtetësinë ruse, por mbetet oferta që ata të shkojnë për të jetuar në Rusi, më saktë në Siberi, diku mbi 4 mijë kilometra larg Beogradit. Një ofertë të tillë e ka bërë dje diplomati rus që e përfaqëson Rusinë në NATO, Dimitrij Rogozin.
Gazeta Blic transmeton deklaratën e deputetes nga Zveçani në Kuvendin e Serbisë, Stojanka Petkoviç, e cila ka thënë se kërkesa masive për shtetësi ruse duhet të kuptohet si “sinjal i shtetit serb që të fillojë t`i kushtojë vëmendje qytetarëve të saj në Serbi”.
“Këtë që na ofroi Rusia është po aq qesharake sa deklarata e paradose e Millan Nikoliçit që të shpërngulemi në Serbinë lindore dhe atje të merremi me peshkim. Thjesht nuk mund të besoj që kushdo nga serbët do të shpërngulej në Siberi”, tha ajo.