E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali-Francë, një sfidë nervash

Itali-Francë duket një sfidë e pafund. Pas përballjes në finalen e Botërorit 2006 në Gjermani, ku triumfuan të kaltrit, finalja e Evropianit në vitin 2000 në Belgjikë e Holandë, në të cilën triumfonin “Gjelat”. 

Këto dy formacione nuk i ndaheshin njëra-tjetrës as në grupin për eliminatoret e Euro 2008, ku regjistrohet një fitore bindëse për francezët e Domenek me rezultatin 3-1 në Paris dhe një barazim në Milano 0-0.
Sfida e pafund
Precedentët e kësaj sfide, nëse përmbledhim këtu përballjet e këtyre dy skuadrave në fazat finale të një kompeticioni të madh si Evropiani, apo Botërori, numërojnë plot gjashtë përballje. Aktualisht bilanci është i barabartë me dy fitore për italianët e francezët dhe dy barazime. Fitorja më e afërt e kampionëve në botës në fuqi është ajo e 2 qershorit 1978, në kampionatin botëror të Argjentinës me rezultatin 2-1. Kjo është edhe fitorja e fundit dhe e vetme e “axurrëve”. Nga ana tjetër, Franca numëron pesë fitore dhe katër barazime. Suksesi i fundit për “Gjelat” është ai në çerekfinalet e Botërorit 1998 në Francë, pas 11-metërshave, kompeticion i cili në përfundim do të fitohej nga të zotët e shtëpisë në shifrat 3-0 kundër Brazilit. Gjithsesi, suksesi më i rëndësishëm që mbahet mend ndërmjet këtyre dy superfuqive të futbollit ndërkombëtar është finalja e Berlinit, në Gjermani më 2006, ku djemtë e drejtuar nga Marçelo Lipi fitonin pas goditjeve të 11-metërshave.
Shkëndija dhe kujtime
 Në përfundim të këtij turi eliminator, Italisë mund t’i mjaftojë edhe një barazim ndaj Francës për të kaluar në çerekfinale, nëse Holanda nuk do të falë as Rumaninë në sfidën e fundit. Nëse italianët arrijnë një barazim me gola në sfidën e sotme, ata do të kalonin në turin tjetër si rrjedhojë e një diference më të mirë golash në ndeshjet direkt kundrejt Francës dhe Rumanisë. Ndërkohë, nëse rumunët do të mundeshin nga “Tulipanët” me një diferencë prej tri golash (3-0, 4-1 etj), kampionëve të botës mund t’i mjaftonte edhe një barazim 0-0 ndaj “Gjelave” të Rajmond Domenek. Vetëm 4 nga 35 ndeshje, sfida ndërmjet Italisë dhe Francës ka përfunduar në barazim pa gola, ku më e afërta është ajo e 8 shtatorit 2007 në “San Siro”, takim i vlefshëm për grupin e eliminator të Euro 2008. Tjetër barazim pa gola është çerekfinalja e Botërorit të Francë 1998. Ndërkohë, rezultati më hasur është 2-1, me të cilin kanë përfunduar 7 nga 35 përballje, pesë nga të cilat në favor të italianëve dhe vetëm dy në favor të transalpinëve. Në muajin qershor këto skuadra janë ndeshur 5 herë, ku përsëri “axurrët” kryesojnë me tri fitore një barazim dhe një humbje. Precedentët kur këto dy skuadra janë ndeshur një ditë të marte janë 3, të cilat nuk kanë përfunduar kurrë në barazim, një fitore e Italisë dhe dy fitore për francezët.

Franca, me “gjeneratën e re” në fushë
Gjatë stërvitjes së djeshme me dyer të mbyllura, trajneri i Francës, Rejmond Domenek, tregoi se do të ndryshojë njëmbëdhjetëshin e titullarëve, si dhe taktikat e lojës përballë Italisë. Shumë prej veteranëve do të lihen në stol, ndërkohë që në sulm do të kthehet talenti i Lionit, Benzema. Kështu, Domenek rikthehet tek formacioni 4-4-2, duke parë si të rrezikshëm 4-2-3-1 e përdorur ndaj Holandës. Këtë sistem loje, kreu i pankinës së përfaqësueses franceze e përdori në ndeshjet përgatitëse përpara fillimit të Evropianit, si dhe në ndeshjen e parë me Rumaninë.

Hanri: Fitore për nderin e humbur
Sulmuesi i Francës dhe Barcelonës, Tierri Hanri, beson se në ndeshjen ndaj Holandës, Franca mund të kishte fituar nëse fati do të ishte me ta. “Atë ndeshje mund ta fitonim, pasi bëmë një lojë të jashtëzakonshme, por na mungoi pikërisht ai element që i ndihmoi ata të shënojnë katër gola, pra fati. Ndaj Holandës, që ishte një skuadër e lidhur në mënyrë të përkryer, zhvilluam një lojë të mirë dhe nëse tregojmë këtë formë edhe ndaj Italisë, jam i bindur se do të fitojmë”, u shpreh shënuesi i 45 golave me fanellën blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›