E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali: Futboll dhe vdekje

Speciale nga Bledar Kuka
Një tifoz futbolli, Gabriele Sandri, u vra dje nga punonjësit e rendit në Areco të Italisë, duke shtuar edhe një vdekje në serinë e zezë të futbollit në Apenine. Ndërsa lajmi u përhap në të katër anët e vendit, qindra tifozë të Romës (rreth 200) sulmuan kazerma të policisë në kryeqytetin italian dhe selinë e Komitetit Olimpik Kombëtar, duke pushtuar një zonë pranë tij dhe duke plagosur me dhjetëra forca të rendit. Sipas tyre, kjo do të quhej "nata e frikës". Makina të policisë u shkatërruan dhe u dogjën, përvec plagosjes së agjentëve. Pas "Kalcopolit" dhe vrasjes së agjentit të policisë, Filipo Raciti, sezonin e kaluar në Katania, dhuna dhe urrejtja goditën sërish. Tri ndeshje të Serisë A nuk u luajtën, madje dy prej tyre nuk u nisën fare. Inter-Lacio u shty, ashtu si Roma-Kaljari, ndërsa ndeshja tjetër, Atalanta-Milan u ndërpre në rezultatin 0-0. Gjithcka nisi nga një sherr banal mes tifozësh lacialë dhe juventinë, në autostradën A1, pranë Arecos, në vendin e quajtur Stacioni i Badisë në Pino. Në agjent i policisë hapi zjarr me pistoletën e tij dhe Sandri u godit për vdekje, ndërsa ishte në një makinë. Ai ishte një "DJ" i njohur i kryeqytetit dhe pjesëmarrës në diskotekat e njohura të Romës, "Piper" e "Area". Sipas sqarimeve të policisë, agjenti i forcave të rendit të Polstradës (Policia Rrugore) shtiu në ajër për paralajmërim, por sic duket një plumb i dytë doli aksidentalisht nga arma, duke goditur tifozin. Ky është versioni që jepte dje "La Gazeta delo Sport", më e madhja e përditshme sportive në vend. Ministri i brendshëm, Amato, deklaroi menjëherë se kemi të bëjmë me "një gabim tragjik që do të hetohet pa asnjë vonesë dhe dorashka". Edhe shefi i policisë së Arecos, Vincenco Xhakobe foli për "gabim tragjik". "Agjenti ynë ndërhyri që të parandalonte sherrin mes dy grupeve që nuk ishin identifikuar si tifozë", - vazhdoi Xhakobe. Policia dhe organet e ngarkuara sipas ligjit kanë nisur hetimet për këtë rast. Ngjarja në Bergamo, ku Atalanta luante me Milanin, nuk kishte lidhje direkt me vrasjen e Sandrit. Tifozët e të dy ekipeve nisën të përlesheshin me policinë dhe ndeshja u detyrua të ndërpritej pas vetëm 10 minutash. Tifozët u përpoqën të rrëzonin një barrikadë për të hyrë në fushë dhe policia u detyrua të ndërhynte. Pas këtyre ngjarjeve dhe thirrjeve kundër policisë në stadiume të tjerë (si në Siena-Livorno), ku tifozët ulëritën "vrasës, vrasës", organet e rendit në Romë vendosën shtyrjen e takimit të mbrëmjes Roma-Kaljari, parashikuar për më 20.30. Kush ishte viktima Sandri Sipas "La Gazeta Delo Sportit", ai nuk i përkiste asnjë grupimi të organizuar tifozësh, ndonëse zemra e tij rrihte për Lacion. "Dashuroj krejt muzikën që ekziston", ishte motoja e tij, ndërsa punonte si "DJ" i njohur në kryeqytet. Miqtë e tij shpalosën menjëherë parulla me shkrimin "Gabo, nuk do të të harrojmë kurrë", ndërsa futbollisti lacial, De Silvestri tregoi se "më dërgoi një mesazh ku shkruante se po nisej për të parë ndeshjen, pasi kishte përfunduar punën, mesazhi kishte fjalët "gjithmonë me ju". Pasioni i tij ishte muzike dhe disku i parë doli në treg kur ishte vetëm 13 vjec. Miku i tij, Alesandro, tregon se "Sandro na pyeti nëse ishim gati për nesër (për të dielën), sepse jemi vetëm 3 vetë në makinë dhe a dëshiron të vijë dikush tjetër". Natën mes të shtunës dhe të dielës punoi deri në 6 të mëngjesit dhe pastaj u nis për në Milano, për të parë Inter-Lacio. Një nga miqtë e tij, Davide Bornilja, i biri i pronarit të diskos "Piper", shprehet: "Cmenduri, nuk mund të vdesësh kështu, Gabrielen e njihja prej një jete, ishte një djalë shumë i mirë, që e kishte mendjen te dashnoret dhe muzika". Një ish-e dashur e tij, e quajtur Franceska shprehet se "Gabriele ishte djalosh i shkëlqyer, gjithnjë i disponueshëm dhe i buzëqeshur, tepër tifoz me Lacion". Jo më pak se 300 persona u mblodhën në sheshin Euklide, për të ndezur qirinj në kujtim të mikut të tyre, që tashmë nuk jeton më. Kronologji 28 prill 1963: Vritet i pari tifoz futbolli, Xhuzepe Plataio, 48 vjec, tifoz i Salernitanës, pas sherreve në stadium mes tifozëve dhe policisë, në ndeshjen Salernitana-Potenca. Ky rast u arkivua, pa u gjendur ndonjë fajtor. 2 dhjetor 1973: Në një ndeshje Roma-Napoli, një tifoz i ri napolitan, Alfredo Dela Korte, u plagos nga policia, me një plumb pistolete në fytyrë. 28 tetor 1979: Tifozi lacial Vincenco Papareli, u godit në fytyrë, madje direkt në sy, nga një "raketë-fishekzjarr", në stadiumin "Olimpik" të Romës, një orë para nisjes së derbit Roma-Lacio. Objekti u lëshua nga tifozë romanë nga tribuna e kundërt, ndërsa Papareli humbi jetën në spital. 8 shkurt 1984: Tifozi i Triestinës, Stefano Furlan, humbi jetën në përleshjet tifozë-polici pas një ndeshjeje Triestina-Udineze. Ai pati dëmtime cerebrale. Sipas hetimeve, kishte mundësi që dëmtimet iu shkaktuan nga goditjet e policisë. Nga ajo ditë, tribuna e tifozëve të Triestinës u quajt "Stefano Furlan". 30 shtator 1984: Në fund të ndeshjes Milan-Kremoneze, tifozi milanist Marko Fongesi, u godit për vdekje me thikë nga një tjetër tifoz milanist, ndërsa tifozë të tjerë po canin me thika gomat e makinës së tij. 9 tetor 1988: Në stadiumin "Del Duka" të Askolit, në fund të një ndeshjeje ndaj Interit, Nazareno Filipini, tifoz 32-vjecar i Askolit, u plagos rëndë në sherret mes ty palëve të tifozëve. 4 qershor 1989: Përpara ndeshjes Milan-Roma, vdes Antonio De Falki, tifoz verdhekuq 18 vjec. Ai u sulmua nga një grup tifozësh të Milanit dhe në vrapim e sipër ndërsa po e ndiqnin, pati atak në zemër. Një tifoz i Milanit u dënua me 7 vjet burg. 18 qershor 1989: Fiorentina-Bolonja, java e parafundit e kampionatit. Një tren me tifozë bolonjezë ra në pritë të tifozëve fiorentinë. Pas një bombe molotov lëshuar në tren, dy tifozë u plagosën, njëri prej të cilëve 14-vjecari Ivan Dal'Olio që u dëmtua përjetësisht në fytyrë. 10 janar 1993: Në fund të ndeshjes Atalanta-Roma vdes nga infarkti Celestino Kolombi, u ndodhur në mes të një sulmi të policisë. 30 janar 1994: Salvatore Moskela, 22 vjec, humbi jetën pasi u hodh nga treni për t'i shpëtuar tifozëve të Mesinës. 29 janar 1995: Para ndeshjes Xhenoa-Milan, vritet me thikë një tifoz gjenovez, Vincenco Spanjolo, vrasësi ishte Simone Barbalja, dënuar me 15 vjet burg. 1 shkurt 1998: Pas ndeshjes Trevizo-Kaljari, vdes tifozi trevixhan Fabio Di Maio, 32 vjec, nga ataku në zemër, pasi policia ndërhyri për të qetësuar situatën. 24 maj 1999: Një ditë pas Piacensa-Salernitana, "finale" për të qëndruar në Serinë A, treni me 3 000 tifozë salernitanas mori flakë në një tunel. Katër tifozë humbën jetën 17 qershor 2001: Në Mesina-Katania plagoset dhe vdes më vonë Antonino Kurro, tifoz i Mesinës. 20 shtator 2003: Derbi Avelino-Napoli përfundon në tragjedi. Vdes Serxho Erkolano, 20 vjecar napolitan, pasi ra nga një lartësi e madhe, në sherret polici-tifozë. 27 janar 2007: Ermano Likursi, drejtues i klubit Samartineze, vdiq në Luzi, i goditur ndërsa donte të shuante një sherr në ndeshjen ndaj Kancelezes. 2 shkurt 2007: Vdes kryeinspektori i policisë, Filipo Raciti, në derbin Katania-Palermo, i goditur jashtë stadiumit. 11 nëntor 2007 Skandalet e presidenteve ne Itali Katër herë kampione e botës, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Italia është vendi i paradokseve, i pasioneve të skajshme të këtij sporti, por edhe i skandaleve më të mëdha në botë. Të mirat dhe të këqijat, duket se ky vend i ka me shumicë. Importuar nga anglezët, futbolli u shfrytëzua nga milionerët për shkëlqim vetjak dhe, edhe si pasojë e reklamës, u bë tepër i rëndësishëm për njerëzit e thjeshtë. Italia ka qenë dhe është vendi i presidentëve që shpenzojnë shuma të cmendura, duke e pasur futbollin si lodër për kënaqësinë e tyre si dhe për t'i siguruar emër dhe lavdi vetes dhe qytetit. Në 1955, Angelo Moratti, babai i Massimo Moratti-t, shpenzoi 100 milionë lireta të asaj kohe, për t'i marrë klubin ish-presidentit Masseroni. Futbolli nuk ka qenë thuajse kurrë një biznes, një aktivitet i dalë natyrshëm nga shoqëria dhe, ku klubet rriten me forcat dhe financat e veta si, p.sh. në Angli. Kur uellsiani i famshëm, John Charles erdhi nga Anglia te Juventus-i në fund të viteve 50-të, ai u quajt "futbollisti i parë milioner anglez". Kjo sepse, te Juve jepeshin rroga 4 herë më të mëdha sesa maksimumi i atyre në Angli (?!). Më 1975, Ferlaino, ish-presidenti i Napoli-t shpenzoi 2 miliardë lireta për sulmuesin Savoldi dhe, u bë skandal. Gazetat shkruajtën se Napoli me papunësi, kriminalitet e papastërti rekord, ka 2 miliardë për një lojtar të vetëm. Por, më 1984, u shpenzuan 17 miliardë për Diego Armando Maradona-n dhe shumëkush kuptoi dicka për këtë cmenduri, kur 70 000 tifozë mbushën "San Paolo"-n, vetëm për të parë prezantimin e Diegos. Shumë prej presidentëve të futbollit në Itali kanë përfunduar nën hetim, të përfshirë në aktivitete aspak të pastër. I tillë ka qenë Ciarrapico i Roma-s, Tanzi i Parma-s, ish-presidenti i Lazio-s, Sergio Cragnotti, ish-presidenti i Napoli-t Ferlaino e shumë të tjerë. Ciarrapico u vu nën hetim që më 1992, me akuzë edhe të urdhërit për vrasje, përvecse për aktivitete mafioze. Cragnotti gjithashtu ra në burg për mashtrime financiare, ndërsa Lazio shpëtoi nga falimentimi me metoda që quhen të dyshimta. Në rastin e Tanzi-t, kompania e tij Parmalat kishte probleme të mëdha financiare, ndërsa presidenti shpenzonte miliona euro te Parma. Edhe sot e kësaj dite, sistemi gjyqësor italian po kërkon ethshëm fonde për të paguar punonjësit dhe kompanitë e tjera të cilëve Parmalat u ka mbetur borxh. Këtu nuk përfshihen 110 000 aksionerë të Parmalat-it, që duan paratë e tyre. Sipas policisë financiare italiane, Parma ka shkelje në pagesat e taksave prej 640 miliardë liretash të vjetra (320 milionë euro), lidhur me transferime dhe pagesa lojtarësh. Humoristi i madh italian, Beppe Grillo shkruan: "Tanzi e Berlusconi janë Cavalieri (Kalorës), por kur të shkojnë ndër mend, kujton menjëherë Kalorësit e Apokalipsit. Fininvest-i është si Parmalat-i, shumë dukje, llogari false, korrupsion, pak cilësi. Italia nuk është në lartësinë e imazhit që japin Ferrari dhe Armani". Edhe kandidati për president i Lazio-s, Chinaglia ka probleme me burimin e parave (mesa duket të pista), me të cilat kërkon të blejë klubin. Futbolli në Itali është më shumë një simbol, një aktivitet për shpenzim parash që t'i tregosh bashkëqytetarëve të tu se ia ke dalë mbanë, se je në tribunën VIP. Zeman: Futbolli në Itali, plot me aksidente vdekësore Zdenek Zeman, trajneri i famshëm cek thotë: "Besueshmëria (e futbollit italian) tashmë është e vdekur. Mbetet të shikohet nëse dëshirojnë që ta ringjallin. Tetë muaj hetime janë vetëm një pikë uji në oqean, me atë që ka ndodhur këto 10 vjet. Ka ndodhur shumë më tepër sesa ato që lexojmë sot. Shohim majën e ajsbergut, por në 10 vjet kemi jetuar skandale të vazhdueshëm, bij dhe kolegë të të famshmit Sistem. Dopingu, bilanci i fallsifikuar, plusvalencat, nën-ndarja e të drejtave TV, raportet me bankat, bastet, problemet e merkatos, gjyqtarët, drejtësia e padrejtë, konfliktet e interesave. Skandale të nënujshëm, kurrë të zbërthyer. Me gjithë respektin për ata që kanë humbur jetën, futbolli italian është plot me raste si Ustica apo Piazza Fontana (aksidente ku humbën jetën dhjetra vetë). Më së shumti më habit fakti se të gjithë të akuzuarit thonë se janë të pafajshëm. Vazhdojnë të na tallin, nuk ka ndryshuar asgjë. Lotët e Moggi-t? Sa vetë ka bërë ai të qajnë? I është shkatërruar jeta? Sa jetë ka shkatërruar ai? Sa presidenët kanë falimentuar, karriera janë prishur, lojtarë janë kërcënuar, kampionate janë trukuar? 14 korrik 2006

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›