E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ I moshuari gjen biletën e llotarisë, ia kthen të zotit shumën e lekëve

Një demonstrim ekzemplar i ndershmërisë. Një pensionist 70-vjecar italian ka gjetur një biletë fituese të Supereneloto-s me vlerë rreth 15 mijë euro dhe ia ka kthyer të zotit, një punëtori 36 vjeç. Supereneloto është lotaria më e madhe në vendin fqinj, matanë Adriatikut, xhekpoti i të cilës shkon deri në qindra miliona euro. Ngjarja e vecantë, që jo shpesh e kemi dëgjuar, ka ndodhur në provincën e Sinait, pak kilometra nga qyteti i Kaljarit, në ishullin italian të Sardenjas.
Ashtu siç raporton gazeta e përditshme nga Sardenja "L'Unione Sarda", i moshuari Paolo Spina, po bënte një shëtitje, kur ka gjetur një portofol që kishte Brenda skedinën fituese dhe disa sende personale të të zotit, mes të cilave edhe një kartë rimbushëse telefonike, ku ishte shënuar edhe numri i celularit. Falë kësaj, i moshuari ka arritur të gjejë pronarin e portofolit. Një telefonatë e realizuar dhe një takim i fiksuar në një lokal për të bërë dorëzimin. Punëtori i thjeshtë është shprehur shumë i lumtur dhe po aq edhe pensionisti, që vec të tjerash ka deklaruar se portofoli me biletën fituese nuk ishte i tiji dhe kështu që duhet ta rikthente, edhe pse mund ta kishte mbajtur për vete dhe të qëndronte anonim. Por ka qënë një impuls ndershmërie, për të njëjtin pensionist që nuk e kishte për herë të parë kryerjen e një gjesti të tillë fisnik. "Është hera e katërt që gjej një portofol. Vite më parë gjeta një në zonën detare të Solanas, me pesë milionë lireta brenda. Ajo i përkiste një cifti turistësh, të cilëve ua riktheva menjëherë", shprehet Spina. Por Paolo Spina nuk gjen dhe rikthen vetëm portofole. Vite më parë ka gjetur edhe një orë të artë dhe sërish arriti të gjejë të zotin, duke ia rikthyer.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›