Obama autorizon mbështetjen ndaj rebelëve sirianë

Presidenti amerikan, Barak Obama, autorizoi mbështetjen sekrete për rebelët sirianë, vë në pah një raport i mediave, të cilin e citon agjencia e lajmeve DPA.
Vendimi ishte nënshkruar gjatë muajve të kaluar dhe i lejon CIA-së dhe agjencive të tjera t`u ofrojnë forcave opozitare mbështetje të fshehtë, raportoi të mërkurën mbrëma CNN duke cituar zyrtarë anonim të Shteteve të Bashkuara.
Natyra e ndihmës nuk specifikohej, por raporti citoi burimet diplomatike të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara po vinin në dispozicion agjentët e tyre për veprimet e trupave siriane.
Pas disa dështimeve të Këshillit të Sigurimit në miratimin e një rezolute për krizën në Siri, administrata amerikane ka paralajmëruar se do të rriste mbështetjen për veprimet anti-qeveritare në këtë vend.
Mësohet, në ndërkohë, se Uashingtoni do të shtojë afro 10 milionë dollarë në fondin ndihmës për rebelët duke e çuar në 25 milionë dollarë shumën e kontributit të tij për Sirinë.
Një video e publikuar një ditë më parë, ndërkaq, tregonte rebelët duke vrarë disa të burgosur, njerëz besnik ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asad.