E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali-Paraguaj, ndeshja kthehet në cështje shteti

AFRIKE E JUGUT- Në Afrikën e Jugut ndeshja e sotme me Italinë duket se është kthyer në një çështje të vërtetë shteti. Presidenti i Paraguajt Fernando Lugo është munduar të motivojë futbollistët, duke iu dërguar një letër dhe duke iu kërkuar që të besojnë deri në fund. “Pjesëmarrja në Kupën e Botës është një rast shumë i bukur, - shkruan ai. – Ju ftoj të mos harroni se njerëzit e vendit tuaj janë gati të vuajnë dhe të gëzojnë bashkë me ju, ndërsa nuk duhet të harroni se nuk ka asnjë kundërshtar që nuk mund të mposhtet”, janë fjalët e presidentit të vendit. Lugo në fakt ka dashur t’i japë një shkundje gjithë kombëtares, duke parë se besimi në radhët e Paraguajt nuk ka qenë aq i madh në prag të këtij takimi. Madje, trajneri Gerardo Martino është duket se e ka më shumë mendjen tek dy ndeshjet e tjera, ndaj Sllovakisë dhe Zelandës së Re, duke parë se ato janë rivalet direkte të amerikano-jugorëve. Për ndeshjen e sotme mbeten në dyshim të dy sulmuesit, si Roke Santa Kruz, ashtu edhe Oskar Kardozo i Benfikës. Të dy kanë dëmtime, sidomos Kardozo që vuan nga një problem në gju dhe me shumë mundësi mund ta nisë nga stoli. Në vend të tij Martino pritet të hedhë në fushë futbollistin me origjinë argjentinase Lukas Barrios, i cili ka treguar një formë të shkëlqyer te Borusia e Dortmundit këtë sezon.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›