E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Modeli i PS-së, marksist. Reagon Rama

TIRANË Në mungesë të pjesëmarrjes së tij në seancën parlamentare, ku buxheti për vitin 2012 u votua nen për nen, kryeministri Sali Berisha i ka kushtuar thuajse 30 minuta kohë këtij dokumenti në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke shigjetuar paralelisht edhe propozimet e PS-së. “Opozitën e falënderoj për diskutimet që bëri për buxhetin, por shpreh keqardhjen time të thellë për disa propozime, të cilat synonin, pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e mekanizmit të tregut të lirë të modelit me modelin marksist dhe sidomos tani që bënë zgjedhjet dhe rikthyen në prag të dhjetorit të gjithë byronë e re politike në udhëheqjen e PS-së. A mund të më thoni ju, a mbeti ndokush nga fëmijët e Bllokut pa hyrë në byro? Jo, asnjë. Por kjo është zgjedhja e tyre, por me taksat çfarë kishin, se në punët e brendshme nuk u përzihet kush. Le t’i rikthejnë dhe anëtarët e byrosë politike në këshillin e të urtëve, le të bëjnë ç’të duan. Ajo nuk është punë e jona. I dhimbshëm ishte propozimi i tyre, propozime të cilat kishin parasysh trustet dhe kompani të caktuara”, - tha Berisha, duke mbrojtur për pasojë modelin e qeverisë: “Ky është modeli, i cili bazohet në administratë të vogël, i cili ka vendosur mbi shpatullat e sektorit privat barrën më të ulët të sektorit publik mbi ta...”. Ndërsa kryetari i PS-së, vetëm pak orë pas mbledhjes së qeverisë ka komentuar në ‘Twitter’. “Sot, një infermiere paguan taksa 30 herë më shumë se kur Saliu ishte në opozitë, ndërsa Doktori paguan taksa më pak se kur ishte në opozitë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›