E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së Presidentit

TIRANË Në konferencën për drejtësinë, e përqendruar kryesisht tek ndryshimet kushtetuese, ish-presidenti Alfred Moisiu deklaroi se ndryshimet më të vonshme kushtetuese u bënë në vitin 2008 vetëm nga 2 parti politike, gjë që sipas tij nuk është e drejtë. “Dy partitë shkelën kontratën me qytetarët. Ndryshimet nuk ishin formale, por prekën thelbin e funksionimit të institucioneve. Disa ndryshime dobësuan institucionet dhe u dhanë fuqi partive si p.sh., zgjedhja nga një mazhorancë e vetme e presidentit, i cili zgjedh gjithçka më pas në këtë rrugë. I vetmi që mrekullisht u shpëtoi këtyre ndryshimeve ishte Avokati i Popullit. Në këtë këndvështrim kemi të drejtë të kthejmë sytë nga Kushtetuta për të analizuar çfarë ka shkuar mirë e çfarë duhet përmirësuar”, - tha Moisiu. Në një panel të zgjeruar me ambasadorë, ish-kryetarë gjykatash, ish-presidentin Rexhep Meidani, përfaqësues partish politike, por edhe me konstitucionalistë e analistë, ish-presidenti i vendit, Moisiu shtoi se mosrespektimi i ligjit themeltar e ka zanafillën që te mënyra e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, deri me tani posti i presidentit ka qenë një pazar politik mes forcave politike, ndaj ka ardhur koha të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së tij. Sipas referuesve të djeshëm, rifreskimi i Kushtetutës duhet të prekë edhe pozitën e Kryeministrit, që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 duket se ka cenuar thelbin e ndarjes së pushteteve në vend. Ndërsa konstitucionalisti Luan Omari ka deklaruar gjatë tryezës se kryetari i partisë nuk duhet të jetë i përhershëm, ashtu siç nuk janë pozicionet e gjyqtarëve, prokurorëve, apo drejtuesve të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›