Itali, arrestohet dinastia De Gennaro, METE i dha 3 HEC-e në Shqipëri
Shembet një nga dinastitë më të fuqishme në Rajonin e Puljas, ajo De Gennaro. Të lidhur në politikë dhe biznese tepër të fuqishme, hetimet e prokurorisë e kanë nxjerrë grupin e vëllezërve përgjegjës për afera korruptive dhe pazare të ndryshme. Madje mediat italiane e përshkruanin si Fundi i epokës De Gennaro. Bëhet fjalë për një pasuri prej 25 milionë eurosh që pritet të ngrihet apo sekuestrohet. Por ajo që të bie në sy është fakti se vëllazëria De Gennaro ka zbritur deri në brigjet shqiptare vitin e fundit dhe ka marrë bekimin e politikës shqiptare në pushtet. Burime të sigurta shprehen se të paktën 3 HEC-e të vogla janë në pronësi të këtij grupi së fundmi në koncesionet e lëshuara me firmën e qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë. Bëhet fjalë për negociata të nisura nga kreu i LSI-së, atëkohë ministër dhe të përfunduara së fundmi me firmën e ministrit Nasip Naço. Përtej faktit juridik se koncesionet mund të jenë bërë me procedura të ligjshme, mbetet për tu shpjeguar mënyra se si Di Gennaro arriti deri tek kreu i LSI dhe qeveria shqiptare.
Mediat e Barit i bënë jehonë lajmit të marrjes nën akuzë të bizneseve të familjes, pasi vitet e fundit akuzohen për miliona euro abuzime me tenderime e koncesione të ndryshme. Sipas Prokurorisë së Barit, në këto aktivitete nuk kanë munguar edhe presionet politike apo korrupsioni i komunarëve të zonës së Puljas për të përfituar këto projekte miliardëshe. Dje u morën nën arrest shtatë persona të dyshuar, mes tyre vëllezërit Daniele e Gerardo De Gennaro, drejtuesit e komunës Anna Maria Curcuruto e Vito Nitti, drejtuesi rajonal Gennaro Russo dhe ekspertë Michele Corona e Raffaele Contessa. Vëllezërit De Gennaro janë pronarë të shoqërisë Dec që merrej me ndërtime të ndryshme në qendrat e mëdha. Por të bie në sy se Gerardo De Gennaro është gjithashtu edhe këshilltar i grupit apo forcës politike të Partisë Demokratike në Rajonin e Puljas. Nën hetim janë edhe shoqëri të tjera të dyshuara për këto aktivitete të paligjshme. Aktiviteti nis nga 2004 dhe aktualisht janë përfunduar vepra të mëdha ndërtimi në rajone të ndryshme nëpërmjet ndërhyrjeve politike dhe korruptive, të gjitha në rreth 500 faqe hetimesh. Nuk dihet ende nëse nën hetim janë edhe ndërhyrjet e kryera në Shqipëri, ku thuhet se kjo shoqëri ka marrë koncesione për 3 HEC-e. Por duket se ditët e ardhshme do të zbardhen detaje të reja rreth këtij aktiviteti dhe nëse ministria jonë është përfshirë në punë biznesi me të dyshuarit./AMA NEWS