PS mbështet LSI, Gjiknuri: Të ndryshojë sistemi zgjedhor

Damian Gjiknuri
Flet bashkëkryetari i PS për reformën zgjedhore.
Duhet listë e re zgjedhësish dhe lexim me pajisje të letërnjoftimeve biometrike
Partia Socialiste mbështet propozimin e LSI-së për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, thotë në një intervistë për gazetën Panorama se sistemi mund të ndryshojë me dy mënyra: përfshirjen e një kuote mandatesh korrigjuese në nivel kombëtar, ose duke rishikuar zonat zgjedhore. Sipas tij, ekspertët e dy partive të mëdha po punojnë aktualisht me kapitujt që kanë të bëjnë me hartimin e listës së zgjedhësve, identifikimin e votuesve dhe numërimin e shpalljen e rezultatit.
Zoti Gjiknuri, si po vazhdon puna me reformën zgjedhore pas shtyrjes së afatit të reformës? A do të realizohet ajo deri më 30 prill, siç keni rënë dakord?
Procesi ka hyrë në një fazë intensive, ku po diskutohen me palën tjetër propozime konkrete teknike në lidhje me disa çështje që kanë qenë në themel të shqetësimeve të opozitës në zgjedhjet e mëparshme. Më konkretisht, jemi duke diskutuar për të gjetur një konsensus në lidhje me hartimin e listës së zgjedhësve, procesin e identifikimit të votuesve, procesin e numërimit dhe shpalljes së rezultateve. Këto janë dhe thembra e Akilit në administrimin e procesit zgjedhor dhe burim i vazhdueshëm kritikash nga monitorimi ndërkombëtar. Si rrjedhim, meritojnë zgjidhje serioze dhe të qëndrueshme. Për të vazhduar më pas me administratën zgjedhore dhe procesin e ankimit, aq shumë të kritikuara në zgjedhjet e fundit. Në fund të muajit mars do të zhvillojmë dhe dy aktivitete me ODHIR-in, ku do të cekim e eksplorojmë mundësinë e aplikimit të teknologjisë në zgjedhje dhe formulat e rikompozimit të administratës zgjedhore. Pra, megjithëse koha ecën, unë them se i kemi të gjitha mundësitë të gjejmë konsensus në lidhje me të gjitha çështjet e mbetura.
Cili është qëndrimi i PS në lidhje me listën e zgjedhësve dhe si mendoni se ajo mund të përmirësohet?
Lista e zgjedhësve, pavarësisht nga deklarimet e qeverisë, ka shumë probleme. Janë tashmë të mirëdokumentuara rastet e përfshirjes në listë të personave të vdekur, dublimeve apo personave hije, të cilët ekzistojnë në sistemin elektronik të shtetasve, por asnjë nuk e di nëse janë realisht shtetas aktivë. Kjo gjendje është produkt i dekadave të tëra kaosi dhe lëvizjeve të pakontrolluara, ku shumë njerëz, për një arsye apo një tjetër, kanë ndryshuar identitetet e tyre apo kanë marrë disa identitete. Si rrjedhin, dhe lista e zgjedhësve është pasqyrë e këtij kaosi që meriton rregullim. Jo më kot ODHIR-i, në vitin 2009 rekomandoi pastrim dhe konsolidim të listës me një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Ndërsa në vitin 2011, ODHIR-i rekomandoi identifikimin e emigrantëve me qëllim që abuzuesit të mos kenë mundësinë të votojnë në emër të tyre. Si rrjedhim, ka mjaftueshëm rekomandime që na detyrojnë të punojmë së bashku për adresimin e këtij problemi. Kur vjen puna te zgjidhjet, propozimet tona kanë synuar shfrytëzimin e kapaciteteve që tashmë ekzistojnë në vend për të pasur një listë me integritet. Tashmë ka mbi tre milionë zgjedhës, të cilët disponojnë letërnjoftim biometrik dhe që në fakt përbëjnë gati 95% të zgjedhësve potencialë në vend. Mjafton të kryqëzosh këto të dhëna, pasi kushdo që ka aplikuar është një person real dhe i identifikueshëm, dhe regjistri i gjendjes civile pastrohet në pjesën më të madhe të tij. Për pjesën e mbetur, koha është e mjaftueshme për tu pajisur me letërnjoftim, pasi kapacitetet janë dhe numri është shumë i vogël. Me ligj, letërnjoftimi është i vetmi dokument me të cilin një shtetas identifikohet dhe nuk ka asnjë justifikim për të mos e marrë atë. Justifikimi se mund të ketë akoma tek-tuk njerëz që nuk kanë letërnjoftim jo vetëm është qesharak, por është rrëzuar nga vetë qeveria, e cila u ka dëshmuar vëzhguesve ndërkombëtarë në vitin 2009 se rreth 150 mijë shtetas jetojnë në mënyrë ilegale në emigracion dhe nuk mund të vijnë për votim asnjëherë. Si rrjedhim, kur në Shqipëri votojnë jo më shumë se 1.6 milion shtetas, përse të mos përdorim bazën e të dhënave të letërnjoftimit për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë punë? Kushdo që kundërshton me arsye absurde se mund të lëmë njerëz pa votuar apo se kjo ka vështirësi teknike, kanë më shumë hallin e të palarave që ka sistemi dhe që ka gjasa ti riciklojë përsëri në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Ndërkohë, një çështje tjetër që Kryeministri Berisha duket se ka komentuar jo pa ironi, është përdorimi i shenjave të gishtave për votimin dhe rreziku, sipas tij, i leximit të votës.
Në fakt, Berisha shquhet për trillime që vetë i thotë, nuk di nëse i beson, por që hallin e ka diku tjetër. Të njëjtin refren përsërit në çdo kohë edhe me gjoja të drejtën që i ka dhënë opozitës për të shkruar vetë amendamentet e më pas ti dërgojë tek ODHIR-i për opinion. Edhe kjo është një gënjeshtër absurde, pasi ODHIR-i nuk pranon propozime nga partitë, por vetëm nga Komisioni i Reformës. Berisha e ka merakun te dëshira e tij e paepur për të kontrolluar dhe abuzuar me procesin zgjedhor. Opozita, por jo vetëm ajo, ka kërkuar leximin e letërnjoftimeve biometrike në ditën e votimit me teknologji të përdorura rëndom për leximin e tyre. Përdorimi i shenjës së gishtit lidhet me identifikimin dhe jo me votimin, pasi vota do të vazhdojë të hidhet si deri sot. Pra, aq sa mund ta lexojë votën sot matrikulimi me bojë i gishtit, aq mund ta rrezikojë dhe përdorimi i shenjës së gishtit në votim. Përdorimi i identifikimit elektronik shmang njëherë e përgjithmonë votimin fiktiv, familjar apo në emër të të tjerëve, një fenomen ky i mirëdokumentuar dhe i kritikuar në të gjitha zgjedhjet në vend. Jo më larg se pak ditë më parë, ky fenomen u risoll i freskët, ku vetëm në një komunë të vendit u konfirmua shkencërisht se 40 për qind e votuesve nuk kishin votuar vetë. Mendo se çbëhet po ta shtrish këtë hamendësi në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Propozimi bazohet në dokumente të standardeve ndërkombëtare dhe shteti i ka të gjitha mundësitë që letërnjoftimit elektronik ti japë vlerën për të cilën shqiptarët kanë paguar, dhe jo thjesht një copë plastike më shumë në xhep. Nëse duan të mbajnë këtë regjim votimi së bashku me simptomat që e shoqërojnë, kërkojnë veç të abuzojnë me zgjedhjet. Nëse bashkëpunojnë për të kundërtën, kanë shansin të tregojnë që kanë vullnet për të përmbushur standardet për zgjedhjet.
Ditët e fundit LSI ka ngritur tonin duke akuzuar PD dhe PS për një proces të mbyllur dhe që nuk po adreson problemet reale me zgjedhjet, siç është deformimi i votës. Madje ajo propozon rishikim të zonave elektorale duke krijuar zona të barabarta në gjithë vendin. Si ju duket ky propozim?
Në fakt, LSI po thotë atë që edhe PS, por edhe zoti Berisha, e ka pranuar publikisht. Për ironi, një nga motivet ngjizëse, të paktën në letër, të koalicionit aktual PD dhe LSI, ishte angazhimi përbashkët për të riparë sistemin zgjedhor dhe për të shmangur deformimin e votës. Kjo gjë nuk përbën më prioritet me sa duket, pasi Berisha as e shtron më në diskutim çështjen e sistemit elektoral, ndërkohë LSI mjaftohet vetëm me deklarime sporadike. PS vazhdon ti qëndrojë deklarimit të saj publik dhe të përhershëm që sistemi ka nevojë të rishikohet ose duke përfshirë një kuotë mandatesh korrigjuese në nivel kombëtar, ose duke riparë madhësinë e zonave zgjedhore, siç ka propozuar së fundi dhe LSI. Në fakt, një kritikë për deformimin e mundshëm të këtij sistemi ka ardhur nga opinioni i përbashkët i ODHIR/Komisionit të Venecias në vitin 2009 mbi Kodin aktual Zgjedhor dhe që mund të