Itali, dy ditë para zgjedhjeve, Bersani kryeson sondazhet

Të pavendosurit do të kenë një rol kyç në rezultat
Të pavendosurit në Itali janë ende në dilemë për votën që do të japin në zgjedhjet parlamentare të 24-25 shkurtit.
Në sondazhin më të fundit 27.7% e italianëve janë ende të pavendosur ose mund të abstenojnë.
Po në këtë sondazh partia e qendrës së majtë të Pierluixhi Bersanit doli fituese, por sipas përllogaritjeve për krijimin e qeverisë është e nevojshme bashkëpunimi me teknokratin Monti.
“Mund të them se mund të ketë një fitore të koalicionit të qendrës së majtë, por nuk e di në cilin dimension”, thotë gazetari i politikës së “Corriere della sera” Massimo Franko.
Por shumë në kryeqytet janë të pasigurt se kujt partie do t’i japin votën
“Do të shkoj të votoj, por ende nuk jam e sigurt se për kë do të votoj”
“E kam vendosur nuk do të votoj për asnjë, nuk do ta çoj dëm votën tim, pasi asnjë nuk më bind”.
Deri tani sondazhet tregojnë se koalicioni i qendrës së majtë ku dhe partia e Vendolas përbën një komponent kyç, mund ta shohë të nevojshme të bashkohet me grupin e Montit.
Deri tani Monti e ka cilësuar Vendolan si një pengesë për reformat e rëndësishme ekonomike, ndërsa ky i fundit ka akuzuar Montin se me masat e tij të ashpra e çoi Italinë në një rrugë pa krye.
Qëndrimet e tyre u ndanë në çështjen e martesave mes homoseksualëve. Vendola një homoseksual i deklaruar, ka kërkuar ligjërim të martesave mes homoseksualëve, ndërsa Monti një katolik i devotshëm, kërkon ndalimin e tyre.
Por një figure shumë karizmatike që mund të përfitojë është komediani, Bepe Grillo.
Ai numëron 893 mijë ndjekës në Twitter, më shumë se presidenti francez Hollande, apo kryeministri britanik Kameron dhe 1 milionë pëlqime në Facebook.
Në sondazhe ai pozicionohet mjaft mirë, dhe shumë analistë thonë se lëvizja e tij “5 yjet” mund të dalë e treta apo dhe e dyta në zgjedhjet parlamentare.