E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Përgjegjësit për zhdukjen tërësore të lulishteve, shfaqen tani si engjëj mbrojtës së gjelbërimit”

22-02-2013 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i Tiranës i cilëson akuzat e PS-së për planin urbanistik, të pabaza

Kryebashkiaku Basha u shpreh se në kryeqytet janë zhdukur lulishte publike që janë kthyer në pallate nga këta që kundërshtojnë planin urbanistik sot, s’kanë bërë gjë tjetër veçse betonizuan Tiranën përgjatë 11 viteve, duke e lënë qëllimisht pa plan rregullues. Sipas tij, të akuzosh këtë plan urbanistik se zhduk gjelbërimin, është njësoj sikur Hitleri të akuzonte Azejnauerin për ekzekutimin e hebrenjve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha kërkoi dje nga opozita që të kërkojë falje për akuzat në adresë së Planit Urbanistik të Tiranës pasi, siç tha ai, janë të pabaza. I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Basha tha se në ambiente të tjera, vetë ata që kanë sulmuar janë shprehur, që sulmet e bëra nga ata vetë janë të pabaza dhe trillime të mirëfillta.
Sipas Bashës, kjo ka ardhur si pasojë e asaj që ata nuk kanë ditur ta lexojnë planin. Kryebashkiaku Basha iu përgjigj edhe akuzave të bëra nga opozita lidhur me ndërtimet që parashikon plani urbanistik, duke theksuar se plani francez parashikonte në këtë zonë ndërtime me intensitet më të lartë dhe për këtë janë prononcuar edhe pronarët.
“Në radhë të parë para se të sulmonin të kishin një falënderim për faktin se prej afro një viti në Tiranë ka renë me 30 për qind ndotja me grimcën e rrezikshme që shkakton ndotje pulmunare. Nga një  pronë e degraduar siç ishte pjesa prapa pallatit të Kulturës ne e kthyem në një lulishte me sipërfaqe prej 60 mijë metra katrorë. Në këtë zonë sikundër në zonat e tjera që janë private, në qoftë se do të lejojmë ndërtim sipas këtij plani 50 për qind e kësaj lulishte mbetet e pa prekur dhe 20 për qind tjetër  e kësaj lulishte mbetet e gjelbër. E gjithë zona prapa pallatit të kulturës u degradua u la në atë gjendje që të  përfundonte kështu, por nuk përfundoi kështu në të mirë të pronarëve sepse kishte interesa të tjera prapa. Me planin urbanistik pronarët e kësaj zone do të ballafaqohen me dy mundësi, ose me procedurat e shpronësimit për interes publik çka do të përjetësonte këtë lulishte për qytetin, ose në rast se ka skema të tjera të cilat shikohen me interes publik, një zhvillim i cili të paktën 50 për qind do ta kishte të gjelbër”, u shpreh Basha.
Ai theksoi se me deklaratat e opozitës ka një paradoks të madh pasinë vendëse të kërkohet ndjesë për degradimin që pësoi kjo zonë për 11 vite me radhe hidhet baltë mbi këtë iniciativë që ka shtuar hapësirat e gjelbra.
Kreu i Bashkisë Tiranë u shpreh se ata të cilët janë përgjegjës për zhdukjen tërësore të sipërfaqeve të gjelbra, dalin si engjëj mbrojtës së gjelbërimit.
“Këtu janë zhdukur lulishte publike që janë kthyer në pallate nga këta që kundërshtojnë planin urbanistik sot. Jo vetëm që nuk merret një përgjegjësi për gjendjen me të cilën u la për 11 vjet, jo vetëm që nuk thuhet faleminderit, si qytetar jo si pushtetar, por sulmohet kjo iniciativë. Ata të cilët  janë përgjegjës për zhdukjen tërësore të sipërfaqes na dalin si engjëj mbrojtës së gjelbërimit. Ndryshimi është si nata me ditën”, tha kryebashkiaku Basha.
Në përgjigje të shqetësimeve të opozitës se po zhduken hapësirat publike, Basha theksoi se nga njëra ana janë ata që me përgjegjësi politike zhdukën lulishtet publike dhe i kthyen në zona ndërtimi.
“Nga  njëra anë kemi njerëz që me përgjegjësi politike zhdukën lulishte publike dhe i kthyen në ndërtime, nga ana tjetër  kemi hapësira private të degraduar të lëna për tu shndërruar në ndërtim të cilat u kthyen në lulishte publike. Të akuzosh këtë plan urbanistik se zhduk gjelbërimin, është njësoj sikur Hitleri të akuzonte Azejnauerin për ekzekutimin e hebrenjve”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Lidhur me zgjerimin e rrugës së Elbasanit dhe pjesën e gjelbër që prek ky aks rrugor, kryebashkiaku Basha tha se, “është parashikuar në plan zgjerimi i rrugës së Elbasanit e cila nuk ka zhdukur mijëra hektarë gjelbërim, por vetëm një gjerësi prej 3 deri në 7 metra në një gjatësi 150 deri në 200 metra. Pra kjo rrugë zgjerohet për t’ju përgjigjur më së miri korridorit që përshkon rrugën e re të Elbasanit”.
Lidhur me akuzat se po zhduket lulishtja tek Namazgjaja, kreu i Bashkisë Tiranë sqaroi se, ajo është pronë private e Komunitetit Mysliman i cili ka të drejtë të ndërtoi aty objektin e kultit. “Për herë të parë Bashkia përfshihu grupet e interesit në hartimin e projektit për Xhaminë e Tiranës grupet e interesit. Ndryshe nga projekti paraardhës që u miratua në terr të plotë informativ”, tha ai.
Në lidhje me pretendimet e opozitës se plani urbanistik parashikon të ketë ndërtime në lulishten përpara shtëpisë së ish diktatorit Enver Hoxha në Bllok, Basha theksoi se plani urbanistik nuk jep leje ndërtimi plani paraqet vetëm parimet dhe rregullat lejet e ndërtimin përcaktohen në studimet e nënstrukturave.
“Mund t’ju them edhe një herë se plani nuk jep leje ndërtimi plani paraqet parimet dhe rregullat lejet e ndërtimin përcaktohen në studimet e nënstrukturave. Në atë zonë për 11 vite diku është ndërtuar pallate shumë katërshe diku ku nuk kanë mundur të hynë sekserët prona ka ngelur e pazhvilluar.  Koha që një parcelë zhvillohej dhe ndërtohej 20 kate dhe parcela ngjitur mbetej e pa zhvilluar ka marrë fund me miratimin e këtij plani”, u shpreh kreu i Bashkisë Tiranë.
Në përgjigje të akuzave të ish-kryetarit të Bashkisë përmes gojës së Lames se zona e vilave tek rruga e Elbasanit do kthehet në pallate, kryebashkiaku Basha tha se “në këtë zonë ka pasur lulishte dhe janë kthyer në pallate. E vetmja arsye që nuk është ndërtuar në këto zona ishte pamundësia e sekserëve për të depërtuar në këto prona nëpërmjet trysnimit të pronarëve. Mënyra se si është parë industria e ndërtimit nga administrada e mëparshme dhe qytetarët ka sjell një perceptim të gabuar ndaj kësaj industrie. Pra 11 vite me radhë industria e ndërtimit shihej si betonizuesja e Tiranës”.
Kryebashkiaku Basha theksoi se “rregullorja e re që është miratuar me planin urbanistik ka për objekt përcaktimin e rregullave, normave dhe standardeve lidhur me përdorimin e tokës sipas zonimit funksional të planit të përgjithshëm të qytetit të Tiranës. Plani përcakton disa rregulla për intensitetet e zhvillimit, sistemit rrugor dhe transportit, si dhe të ruajtjes së zonave dhe vlerave të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit në zbatim të parashikimeve të planit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës”.

Terminali multimodial
Kryebashkiaku Basha sqaroi dje edhe projektin e ndërtimit të terminalit multimodial të kryeqytetit. Ky terminal parashikohet të nisen 10 000 automjete, 3 700 mikrobusë, 900 autobusë, 100 autobusë ndërkombëtarë dhe 180 autobusë urbanë.
Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë 34 për autobusë të linjave ndërkombëtare, 57 për autobusë të linjave ndërqytetës, 15 për autobusë të linjave urbane, 48 për mikrobusë, 26 parkim autobusësh, 20 për taksitë dhe 100 vende parkimi për automjete private.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›