"Ushtarët u kapën me heroinë nga agjenti, që u hoq si përdorues"
TIRANE - Agjenti i infiltruar i sektorit të antidrogës në polici, ka blerë së paku dy herë sasi heroine nga 1 gramë tek Mehmet Belba, i arrestuar më 27 gusht, bashkë me dy ushtarë "Komando". Blerja në mënyrë të stimuluar është kryer sipas burimeve, me qëllim për të zbuluar origjinën e vërtetë të mallit dhe për të kapur një sasi më të madhe heroine. Të arrestuarve policia u ka bllokuar 4 milionë lekë të vjetra. Gjithsesi edhe pse vlera e ishte e konsiderueshme, burimet e policisë kanë pohuar se komandot e arrestuar nuk do të përfitonin më tepër se 200 mijë lekë të vjetra nga shitja e lëndës narkotike. Blerësi i infiltruar tek poseduesit e heroinës është hequr si përdorues i narkotikëve dhe si shpërndarës, duke pretenduar se kishte nevojë për sasi droge, të cilës i kishte gjetur treg dhe duhej ta shiste. Komunikimet ai mësohet t'i ketë pasur me personat që sipas policisë posedonin drogën. Infiltrimi i organizuar nga ana e policisë dhe me autorizim të Prokurorisë së Tiranës, ka sjellë edhe mbërritjen në vendin e takimit të caktuar, agjentët e policisë që i vëzhgonin prej disa ditësh personat, kanë ndërhyrë duke i arrestuar. Sipas porosisë, ata kishin me vete sasinë e heroinës, e cila u kap në kohën kur tre të arrestuarit po shkonin për ta dorëzuar atë. Tre të arrestuarit u paraqitën dje për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit me kërkesë të Prokurorisë, vendosi masën e sigurisë "burg pa afat" për tre personat e arrestuar katër ditë më parë gjatë operacionit të koduar "Kollona". Prokurori që ka drejtuar hetimet paraprake tha se, tre të akuzuarit që u kapën teksa dispononin një kilogramë heroinë, duhet të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Pas kësaj, përfaqësuesi i prokurorisë u komunikoi tre të pandehurve Mehmet Belba 45 vjeç; Elvis Arifaj 24 vjeç dhe Martin Boçi 22 vjeç, akuzën "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". Belba u pyet i pari nga gjyqtari i gatshëm ku pretendoi se ishte arrestuar teksa ndodhej në shoqërinë e disa miqve të tij, duke pirë kafe në një nga lokalet luksozë të kryeqytetit, ndërsa implikimi i ishte bërë pas deklarimeve të njërit nga të bashkarrestuarit. Ndërkohë dy të pandehurit e tjerë, Arifaj dhe Boçi mohuan akuzën, ndërsa prokurori vijoi se, ata ishin arrestuar teksa po shkëmbenin drogën me një sasi parash. d.b/f.m
Droga, si u zbulua grupi i trafikut
Më 12 gusht 2008 Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal ndaj Mehmet Belbës, personit që sipas hetimeve kishte në zotërim një kilogram heroinë të cilën po përpiqej ta shiste. Më 27 gusht 2008 pas një blerje të stimuluar të autorizuar nga Prokuroria, dy ushtarët dhe pronari i drogës u kapën kur po dorëzonin heroinën tek blerësi i rremë i saj, i cili në fakt ishte agjent i infiltruar i policisë.