E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, ende në arrati shqiptari i larguar nga burgu i Ternit

Operacioni për kapjen e të arratisurit, është shtrirë në të gjithë Italinë, por deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës ka rezultuar i pasuksesshëm. Policia thotë se Taulant Toma mund të jetë ndihmuar nga një bashkëpunëtor. 

TERNI- Policia italiane vazhdon operacionin për arrestimin e shqiptarit të arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Terni të Italisë.

Taulant Toma, 25 vjecari shqiptar, i cili vuante dënimin për një grabitje me armë arriti të largohej nga burg, të premten në mesditë. I riu kishte arritur të arratisej në kohën kur në ambientet e jashtme të burgut po luhej futboll.

Sipas policisë Toma kishte shfrytëzuar më së miri një vrimë tek rrjeta rrethuese e minifushës së futbollit dhe ka mundur të largohet më pas përmes murit rrethues të cilin e ka kapërcyer.

Arratisja e shqiptarit ka vënë në alarm autoritetet italiane. Toma njihet si pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Ilir Paja, që italianët me të drejtë e kanë cilësuar si “UFO” shqiptar, pasi mundi të arratiset dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në vendin përtej Adriatikut dhe aktualisht gjendet i arrestuar në Shqipëri.

Operacioni për kapjen e të arratisurit deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës ka rezultuar i pasuksesshëm ndërsa përforcohet hipoteze se ai mund të jetë larguar nga zona e Ternit.

E gjithë kjo bën të mendojë policinë se Toma kishte mriëorganizuar planin e arratisjes dhe se një bashkëpunëtor i tij mund ta ketë pritur jashtë burgut dhe ta ketë ndihmuar të largohej, duke i humbur gjurmëve të policisë.

Mediat italiane bëjnë të ditur se një numër i madh policësh janë vënë në kërkim të të arratisurit dhe se operacionet për arrestimin e tij po kryhen në të gjithë Italinë. Fotoja e Taulant Tomës, i cili njihet si pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Ilir Paja është shpërndarë në të gjithë komisariatet e vendit fqinj.

Taulant Toma ishte arrestuar pas një grabitjeje me armë në San Fruttuoso në periferi të Xhenovas. Ai duhej të përfundonte dënimin më 19 maj 2014. Për motive sigurie Toma ishte transferuar nga burgu i Kapannes, në burgun e Ternit në nëntor të vitit të kaluar.

Arratisja e shqiptarit nga burgu i sigurisë së lartë ka hapur polemika të forta, për mënyrën sesi Taulant Toma ka mundur të “çajë” rrethimin, në një kohë kur në gatishmëri qëndrojnë dhjetëra forca policie. Ekspertët që po hetojnë për ngjarjen po skicojnë të gjitha detajet e arratisjes së të dënuarit.
(BalkanWeb )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›