KLD masa kundër zvarritjes së gjyqeve
TIRANE- Nëse avokatët mungonjnë në seancat gjyqësore do të gjobiteni rëndë nga gjykata. Veç gjobës, mbrojtësit ligjorë do të jenë të detyruar të paguajnë dhe shpenzimet gjyqësore të seancës e cila shtyhet për mungesën e tyre.
Ky është një nga propozimet e bëra nga grupi i punës i ngritur pas një mbledhje të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu me kryetarët e gjykatave në të gjithë Shqipërinë, ku me shqetësim të madh u diskutua zvarritja pafund e proceseve gjyqësore me ndjeshmëri mjaft të lartë publike. “Është evidentuar si mjaft shqetësuese mungesa e avokatëve mbrojtës në seanca gjyqësore. Avokatët shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore, sidomos kur bëhet fjalë për çështje penale me të akuzuar për krime të rënda, për ta zvarritur sa më shumë procesin. Për rrjedhojë, të pandehurit rrezikojnë lirimin për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Ndaj, ne si grup pune vendosëm të propozojmë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për t’i dhënë fund këtij fenomeni”, - tha një përfaqësues i KLD-së.
Burime pranë grupit të punës, thanë se masat ndaj avokatëve që sabotojnë proceset gjyqësore do të përshkallëzohen deri në heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë kohe apo heqje të licencës, që do të sanksionohen në Kod.
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duket se janë mjaft të nevojshme në kohën kur shumë të akuzuar për krime të rënda, si vrasje, akte terroriste, trafiqe droge e femrash po shfrytëzojnë çdo hapësirë të ligjit për të shpëtuar nga qelitë. Në mbledhjen që grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Shoqatës dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykatës së Lartë dhe Ministrisë së Drejtësisë, është diskutuar dhe për organizimin e trupave gjykuese. Grupi i punës ka propozuar që të rritet numri i çështjeve që mund të gjykohen nga tre gjyqtarë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dhe jo pesë siç është aktualisht.
Gjithashtu, në Gjykatën e Tiranës të bëhen gjykime edhe nga një gjyqtar i vetëm. Në këtë mënyrë, do të ulet ndjeshëm numri i delegimeve të gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën, pasi shpesh ka lindur një nevojë e tillë, për shkak se të pandehurit kanë përdorur çdo hapësirë ligjore për të ezauruar togat e zeza. Ndryshime në Kodin e Procedurës Penale janë propozuar të bëhen dhe për sa u përket afateve të paraburgimit. Shumë të akuzuar e shtyjnë sa më shumë gjyqin që të fitojnë lirinë për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit. Për t’i dhënë fund këtij fenomeni, grupi i punës ka propozuar zgjatjen e afateve, kryesisht për të akuzuarit për krime të rënda. “Së pari do të bëhet një studim, përmes të cilit do të shihet se sa të shpeshta janë rastet që e vënë gjykatën në vështirësi. Më pas do të bëhet dhe propozimi konkret”, - tha Manjola Bejleri, kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve, që është pjesë e grupit të punës. Pika e fundit e diskutuar është dhe shkurtimi i kohës së zbatimit të letër-porosive jashtë shtetit, që në jo pak raste bëhet shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore.
(GSH/BalkanWeb)