Leka Zogu: Të sillen dhe eshtrat e Nolit e Nënë Terezës
Pretendenti i Fronit falenderon qeverinë për vendimin për kthimin e eshtrave të të atit në Shqipëri. "Besojmë se është koha që të nderojmë të gjitha ato figura që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për kombin shqiptar".
TIRANE- Pretendenti i Fronit Mbretëror, Leka Zogu ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për kthimin e eshtrave të të atit në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë hap si një ndryshim të madh historik. Në një konferencë të posaçme për shtyp ai deklaroi dje se, “një vendim i tillë është një vendim i madh, është një vendim që ndryshon diçka në histori. Ky nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë, por marrja e tij më ka gëzuar jashtë mase”. Ndërkohë, familja mbretërore u tregua e kujdesshme të kërkojë respektimin e të gjitha figurave historike, pavarësisht se dikur ata mund të kenë qenë kundërshtarë të betuar të njëri-tjetrit, sikundër Ahmet Zogu me Fan Nolin. “Ne besojmë se është koha që të nderojmë të gjitha ato figura që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për kombin shqiptar, duke filluar nga Mbreti Zog I, Fan Noli, Nënë Tereza, Abaz Kupi, Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Hasan Dosti, Arshi Pipa, Martin Camaj e shumë figura të tjera patriotike. Është detyra jonë që t’u realizojmë amanetin e fundit, të prehen në dheun e të parëve”, - tha zëdhënësja e familjes mbretërore, Julinda Kamberi. Nuk dihet ende se ku do të vendosen eshtrat e Ahmet Zogut dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes mbretërore. Trashëgimtarët e tij shpresojnë që kjo të bëhet në vendin ku dikur prehej Nëna Mbretëreshë, në Kodrat e Liqenit në Tiranë, një tokë që sipas tyre i përket familjes mbretërore, por që ende nuk i është kthyer. Menjëherë pas shpalljes së vendimit të qeverisë për kthimin e eshtrave të personaliteteve të shquara në atdhe nga kryeministri Sali Berisha, Instituti Kombëtar i Diasporës Shqiptare pranë Ministrisë së Jashtme, është gati për ndërmarrjen e procedurave të riatdhesimit të tyre me vendet ku ata prehen. “Aktualisht ka nisur puna për ngritjen e një komisioni qeveritar shtetëror për rikthimin e eshtrave të mbretit të parë të shqiptarëve, Ahmet Zogu, si arkitektin e shtetit modern shqiptar dhe një prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara e me kontributin më madhor në historinë e kombit shqiptar”, - u shpreh në një prononcim të djeshëm për mediat, Flamur Gashi, drejtuesi i Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare pranë Ministrisë së Jashtme. Por, nuk janë vetëm këto personalitete, eshtrat e të cilëve ndodhen jashtë vendit. Figura të shquara të letërsisë, publicistikës, qeverisjes e diplomacisë shqiptare kanë vdekur dhe prehen jashtë vendit, eshtrat e të cilëve, sipas Gashit po punohet për t’i sjellë në Shqipëri. Nga të dhënat rezulton se janë rreth 30 personalitete historike shqiptare që nuk prehen në atdhe. Mbreti Zog vdiq në Francë, plot 48 vjet më parë dhe gjendet i varrosur në varrezat Thiais, pranë Parisit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)