E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet një polic i antiterrorit

 

Një pjesëtar i shërbimit antiterror në Greqi u vra dje në mëngjes nga persona të panjohur në një nga zonat më të populluara afër qendrës së Athinës. Ngjarja që tronditi kryeqytetin grek ndodhi kur oficeri 40-vjeçar, baba i një fëmije, sapo kishte marrë shërbimin. Të paktën tre persona e qëlluan me armë zjarri nga një distancë shumë e afërt, duke e lënë të vdekur në vend. Autoritetet greke kanë pohuar se viktima po ruante një prej dëshmitareve kryesore në procesin kundër organizatës terroriste “ELA”, e cila u asgjësua në fillim të viteve 2000. Vlerësime të ekspertëve të antiterrorizmit nëpër media e konsiderojnë si gafë të madhe faktin, që dëshmitarja nuk kishte ndërruar adresë dhe ruajtja e saj bëhej në mënyrë formale, duke ekspozuar në çdo rast atë vetë, por edhe agjentët që e ruanin. Kjo është dëshmi e shpërbërjes de fakto të shërbimit antiterror, që disa vite më parë, pas bashkëpunimit me shërbimet britanike dhe amerikane, kishte arritur një sukses të madh, duke asgjësuar organizatën guerrile më jetëgjatë dhe më aktive në vend “17 nëntori”. Sipas BBC, që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur u shënuan trazirat e njohura, viktima e sotme është pjesëtari i tretë i policisë që goditet me armë. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e oficerit të policisë. Si dhe në dy rastet e tjera, dyshimet janë përqendruar në organizatën guerrile Beteja Revolucionare, e cila ka marrë përgjegjësinë për disa aksione të muajve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›