E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, frikë për tërmete të tjera, sot funerali

 

Banorët në zonën e prekur nga tërmeti në Itali po kalojnë net ankthi dhe frike, ndërsa të sistemuar nëpër çadra ndjejnë sërish lëkundje të forta të tokës, që kanë shkaktuar deri më tani vdekjen e mbi 280 personave. Gjatë orëve të para të së enjtes janë verifikuar dy lëkundje të forta sizmike, njëra 4.3 dhe tjetra 5.2 ballë me epiqendër në Aquila, Pizzoli dhe Barete. Skuadrat e ndërhyrjes së shpejtë kanë nxjerrë trupa të tjerë nën rrënoja, duke konfirmuar 281 viktima si pasojë e tërmetit të fortë të së hënës. Por puna e tyre po pengohet nga lëkundjet e vazhdueshme që shkaktojnë po ashtu rënien e ndërtesave të tjera të vjetra në qytet. Viktima të tjera janë gjetur edhe në Shtëpinë e Studentëve. Kreu i bashkisë së Aqulia-s, Massimo Cialente tha se, “është fakt se asnjë akuilan nuk jeton më në shtëpinë e tij, ekziston frika e fortë se do të ketë lëkundje të tjera të forta toke”. Ndërkohë në Itali janë zhvilluar ceremonitë e para të varrimit të viktimave të tërmetit. Sot është ditë zie, është dita kur do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e varrimit të shumicës të viktimave, që organizohet nga shteti. Ceremonia nis në orën 11:00 të paradites dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të dhimbshme të dekadave të fundit në Itali. Që të martën në mbrëmje, ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur të gjejnë më ndonjë të mbijetuar. Tani ata po përpiqen të ndihmojnë mijëra persona që kanë mbetur të pastrehë. Janë rreth 28 mijë njerëz që po jetojnë në çadra dhe tre mijë të tjerë nëpër hotele. Që dje kanë nisur përpjekjet për vlerësimin e shkallës së dëmit në zonën e prekur, kryesisht, nëse janë të sigurta apo jo ndërtesat publike dhe banesat në qytet. Kryeministri Silvio Berluskoni tha se për të bërë një vlerësim të plotë të dëmit, mund të duheshin dy muaj. Ndërkohë punonjësit e Mbrojtjes Civile në Itali u kanë bërë thirrje banorëve të zonës dhe të tjerëve të mos nisen për në funerale. “Familjet italiane duhet të kuptojnë se lutja për të vdekurit e Abruzzo-s nuk ka pse thuhet vetëm atje, në vendin e tërmetit”. Marta Di Gennaro, zëvendës/shefja e Departamentit të Mbrojtjes Civile, ka bërë një apel për të parandaluar ata që pritet të udhëtojnë sot për të marrë pjesë në funeralin masiv që do të mbahet në Aquila. Ajo propozoi që njerëzit të luten në kishë, në shtëpinë e tyre, por jo të shkojnë të krijojnë probleme logjistike atje ku tashmë ekzistojnë. “Kjo nuk do të ndihmojë ata që janë tashmë të prekur nga tërmeti”, tha ajo. 
Vizita e Napolitanos
Dje zona e tërmetit u vizitua nga Presidenti italian, Giorgio Napolitano. Presidenti sapo ka mbërritur u ka bërë homazhe viktimave. “Jam këtu nga detyra dhe ndjenja”, këto ishin fjalët e para të Presidentit Napolitano kur vizitoi zonën e tërmetit. Duke iu drejtuar punonjësve të Mbrojtjes Civile, ai ka shprehur falënderimet për punën e tyre. Pasi vizitoi zonën, Napolitano u shpreh se, “Jam shumë i goditur nga ajo që pashë, çdo imazh do të më qëndrojë në mendje”, tha ai. Presidenti ka reaguar ashpër ndaj fotografëve. Fillimisht u ka bërë ftesë të hapin rrugën dhe më pas u ka thënë prerë “mos na çani kokën”, ndërkohë që Napolitano vizitonte Onna-n, një nga qendrat më të goditura nga tërmeti, ku ka humbur jetën më shumë se një e shtata e banorëve. Shumë dukshëm i bezdisur nga reporterët, Napolitano ka hapur krahët dhe u ka bërtitur atyre: “Nuk kam ardhur këtu për t’u fotografuar nga ju, largohuni, mos na çani kokën!”. Më pas kreu i shtetit italian ka lavdëruar punën e qeverisë dhe vendimet e marra si dhe punën e jashtëzakonshme të punëtorëve në terren. Ndërsa Kryeministri Berluskoni është shprehur: “Jam i copëtuar, kam folur me shumë familje dhe kam prekur me dorë këtë tragjedi, është diçka që të fut ankthin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›