E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Plazhet, të pastra pas 2010

 

DURRES - Vetëm pas vitit 2010 plazhet e Shqipërisë do të jenë të pastra nga kimikatet dhe bakteret. Gjatë një vizite në Durrës, ku inspektoi kantierin e depuratorit të Shën-Vlashit, ministri Lufter Xhuveli nënvizoi se pas kësaj periudhe do të disiplinohen krejtësisht ujërat e zeza të qyteteve, të cilat derdhen në det, lumenj apo liqene. Plot 160 milionë euro që janë hedhur nga qeveria për pastrimin e ujërave të zeza kanë shërbyer vetëm për investime në pjesët e bregdetit shqiptar. Por, ende dhe sot, ujërat e zeza të Durrësit derdhen në Adriatik. Qyteti me afro 300 mijë banorë, jo vetëm që sjell një ndotje të lartë bakteriale në pjesën shqiptare të Adriatikut, por edhe kimike, pasi aty bashkë me ujërat e zeza depozitohen çdo ditë detersivët apo vajrat që i gjithë komuniteti konsumon çdo ditë. Sipas ministrit të Medisit Lufter Xhuveli, vetëm pas vitit 2010, ekziston mundësia për përmirësimin e situatës përgjatë të gjithë bregdetit shqiptar. Për sezonin veror që po troket në derë do të merren disa masa emergjente, për të krijuar mundësinë e pritjes së turistëve vendas dhe të huaj. Deri në zbatimin e projekteve gjigante për depuratorët (pas vitit 2010), marrja e masave do të jetë e bazuar më së shumti në ndërgjegjen qytetare, sidomos ato të bizneseve që merren me hoteleri. Një nga këto masa, sipas ministrit të mjedisit Xhuveli do të jetë monitorimi i bizneseve përgjatë bregdetit, e parashikuar kjo me sanksione të rrepta në raste se vërehen derdhje të ujërave të zeza në det.                 o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›