E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT-ja e Fierit: Qendra, jo me ndërtime shumëkatëshe

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Qendra e qytetit të Fierit nuk do të ketë më pallate shumë-katëshe, por luksin për një ndërtesë deri dhe mbi 10 kate do ta shijojë vetëm periferia. KRRT-ja e bashkisë miratoi rregullat e reja të ndërtimeve në qytet, njëra prej të cilave përcakton limitin e kateve të godinave. Drejtori i departamentit të urbanistikës pranë bashkisë së Fierit, Manol Goga, thotë se ndërtesat që do të ngrihen do të jenë 7-8 kate në rrugët kryesore, ndërsa në ato dytësore mund të shkojnë deri në 10 kate. Vetë Goga është shprehur se, bazuar në planin rregullues të qytetit do të lejohen kryesisht ndërtime të ulëta, nga 1-3 kate që janë për banesat vetjake ndërkohë si shesh ndërtimi do të miratohet vetëm një në lagjen “29 Nëntori”. “Ne jemi bazuar te plani rregullues i qytetit dhe kjo nuk na jep hapësira për të lejuar ndërtimet që prekin nivelin e 10 kateve. Madje, muajt e fundit kemi lejuar vetëm ato ndërtime që kanë karakter familjar dhe që arrijnë deri në tre kate. Zonat dytësore janë 10% e zonës së ndërtimit ose edhe më pak, të përshtatshme për godina të larta”, ka vijuar Goga. Sipas kreut të departamentit të urbanistikës, gjithçka do të zbatohet në vijimësi në këtë qytet, për të zbatuar me korrektesë planin, në bazë dhe të studimit urbanistik ku përcaktohen rrugët kryesore të Fierit. Ndërtesat e larta do të jenë një numër fare i vogël, kryesisht rreth lagjes “Kastriot”, e cila është një lagje që ka marrë formën e plotë me ndërtesa shumëkatëshe. Gjithashtu, në planin rregullues të qytetit janë parashikuar lagje të tëra me godina 3-4-katëshe, siç mund të përmenden lagjet “1 Maj” “Sheq i Madh” dhe “Sheq i Vogël”. Në këtë plan rregullues është përcaktuar shumë saktë edhe rrjeti rrugor. Në të njëjtën kohë, sipas Gogës, plani rregullues, përveç mënyrës së orientimit të ndërtimeve në këtë qytet parashikon edhe vendosjen e sinjalistikës së rrugëve, gjelbërimin si dhe sheshet publike. Nga institucioni i bashkisë kërkohet që biznesi dhe komuniteti në Fier të mirëkuptojë këtë plan rregullues, i cili sipas tij është në favor të një klime zhvillimi në qytet. Vetëm në muajin mars nga KRRT-ja u arritën të miratoheshin gjithsej 43 leje dhe sheshe ndërtimi. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në prona private, me karakter banimi si dhe zhvillimi të aktivitetit tregtar. Më herët se këto sheshe të kalonin për miratim nga KRRT-ja e Bashkisë janë shqyrtuar edhe në këshillin teknik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›