Akuza: Shefat e burgut në Burrel, fajtorë për arratisjen
BURREL – Administrata e burgut të Burrelit të dënohet me 6 vjet e gjysmë burg dhe 2.4 milionë lekë gjobë. Prokuroria e Burrelit dha dje pretencën për 6 ish-drejtues dhe gardianë të qelive të sigurisë së lartë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, çka shkaktoi arratisjen e bujshme të dy të dënuarve të përjetshëm. Në seancën e parafundit, prokurori i çështjes tha se, gjashtë ish-punonjësit e këtij burgu kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë fshehur ngjarjen e bujshme. Fillimisht prokurori faktoi mënyrën e arratisjes, duke u ndalur në provat e faktet që organi i akuzës ka grumbulluar gjatë 1 viti. Në argumentet e tij, Sabri Kastrati tha se saldimi i skarës së dhomës nr.1 në seksionin B është kryer në kundërshtim me legjislacionin në fjalë. “Nuk ka një urdhër me shkrim të drejtuesve të burgut, nuk janë informuar strukturat kur ndodhin ngjarje të tilla, janë lejuar të dënuarit të lëvizin lirisht në mjediset e burgut, kontrollet e ditës së arratisjes kanë qenë të përcipta”, u shpreh prokurori. Ai nënvizoi se gjithçka është e faktuar nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e shumta që janë administruar nga Gjykata e Matit. Pretenca e djeshme kërkonte shpalljen fajtor të gjashtë ish-punonjësve të burgut, madje shprehet se kanë shpërdoruar në bashkëpunim detyrën dhe kanë fshehur krimin. Për ish-drejtorin e burgut, Eduart Brahilika, ish-shefin e policisë, Thanas Rumnici dhe ish-shefin e informacionit, Kujtim Laçiu kërkua nga 1.5 vjet burg; për shefat e regjimit të brendshëm dhe të jashtëm, Luan Hysa e Kadri Domi nga 6 muaj heqje lirie dhe për Rasim Hoxhën, ish-specialist i trupës së burgut 1 vit burg. Për secilin nga të pandehurit prokurori kërkoi dhe gjobë me nga 400 mijë lekësh. h.p