E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, identifikohet shqiptari i vrarë me thikë

BOLONJA- Policia italiane identifikon se shqiptari i vrarë mbrëmë me thikë në periferi të Bolonjës është Ardit Myrtaj 25 vjecar.
Sipas agjentëve të policisë, i riu ishte person me precedentë penalë. Identifikimin e tij e kanë bërë të mundur karabinerët që kryejnë hetimet të drejtuara nga prokurori Luca Tampieri.

I riu kishte marrë tre goditje me thikë, një në shpinë, një në shpatullën e majtë dhe një afër zemrës, e cila mund ti ketë shkaktuar dhe vdekjen, pasi viktima kishte humbur shumë gjak.

Vrasja ndodhi mbrëmë rreth orës 22.00 jashtë lokalit 'Willy il Coyote', i vendosur mes rrugës Viola dhe Emilia Ponente.

Myrtaj pasi është goditur ka tentuar të largohej duke dalë nga bari nga një derë tjetër, e ndryshme nga ajo që kishte hyrë.

Karabinerët kanë marrë në pyetje administratorët e lokalit dhe disa persona të tjerë për të bërë të mundur rindërtimin e dinamikës së sulmit, i cili në momentin e parë dyshohej se kishte ndodhur jashtë lokalit. Policia thotë se ende nuk dihet autori i vrasjes, por dyshohet se krimi ka lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Shqiptari Ardit Myrtaj kishte dalë nga burgu në fund të 2008-s, pasi kishte kryer dënimin për drogë.
(s.g/ANSA/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›