Itali, kapen vrasësit e shqiptarit në Firence
ITALI - Policia italiane ndaloi dje dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së mëngjesit të shtunës në Firence, ku u vra shqiptari D. Hoxha dhe u plagos shoku i tij. Ashtu si u dyshua që në fillim për kombësinë e tij, ai është një Prel Hasaj, 23 vjeç, shqiptar. Identifikimi i tij është mundësuar nga këqyrja e aparatit telefonik të viktimës. Motiv i ngjarjes mendohet të jetë një konflikt i vjetër i lindur mes viktimës dhe agresorit, gjatë një periudhe qëndrimi në Gjermani. Lajmi u bë i ditur nga burimet mediatike italiane, të cilat sqaruan dje se "ishte ndaluar i dyshuari si autor i vrasjes së ndodhur në sheshin "San Pier Maggiore", në qendër të Firences". Mësohet se shqiptari është ndaluar në një banesë, po në qytetin e Firences. Sipas burimeve, identifikimi i të dyshuarit si autor i ngjarjes dhe i vendndodhjes së tij është bërë e mundur nga aparati telefonik celular i viktimës. Bëhet e ditur se investiguesit italianë, në bazë të këqyrjes së trafikut të thirrjeve hyrëse dhe dalëse të bëra në dhe nga telefoni i viktimës, kanë "ngushtuar" rrethin e dyshimeve. Agjencitë italiane të lajmeve sqaronin dje se ngjarja e mëngjesit të së shtunës ka ardhur si pasojë e një sasie parash dhe lënde narkotike që viktimës i kishte vjedhur të dyshuarit Hasaj. Policia italiane shoqëroi edhe një tjetër shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, të dyshuar si shoqëruesin e vrasësit të D. Hoxhës. Ngjarja ku u vra 29-vjeçari Hoxha u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së shtunës në një zonë historike të Firences. Personi që qëlloi mbi të, tentoi të qëllonte edhe mbi shokun e tij Rinor M., por bllokimi i pistoletës i kurseu jetën.