Elbasan, aksion antidrogë në mes të qytetit, kapen 600 gramë heroinë
ELBASAN – Katër të rinj, mes tyre një adoleshente janë shoqëruar nga policia e Elbasanit, pasi iu gjetën në makinën e tyre 600 gramë lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë. Aksioni i policisë është zhvilluar në qendër të qytetit, sapo personat e dyshuar dolën nga një lokal dhe tentuan të largoheshin. Ka qenë ora 15:50 kur katër të rinjtë, B.Dashi 21 vjeç, A.Fafa, A.Preçi, 19 vjeç nga Fieri dhe 15-vjeçarja E.P. nga Yzberishti i Tiranës po dilnin nga lokali pranë sheshit “Gensher” në drejtim të makinës tip “Opel”, me targë VL 5070 C. Në momentin kur po tentonin të lëviznin nga qendra e qytetit, dy agjentë të antidrogës të Policisë së Elbasanit u kanë bërë shenjë të ndalonin. Por, drejtuesi i mjetit, ka ecur mbrapsht me shpejtësi, duke detyruar agjentët që të qëllonin në ajër dy herë me qëllim paralajmërimin për të ndaluar. Pas afro 100 metër indietro, drejtuesi ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe dy mjete të parkuara. Më pas, agjentët e antidrogës, me ndihmën dhe të dy drejtuesve të lartë të policisë në këtë qark, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina të dy djemve dhe të vajzës. Ndërsa tre të parët i izoluan, policia ka mbajtur në makinë 19-vjeçarin, deri në zbulimin e drogës, për të cilën kishte informacione të sakta. Pas kontrollit të imtësishëm, qesja me rreth 600 gramë heroinë, është gjetur poshtë një sediljeje të mjetit. Më pas, 4 personat janë shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku janë marrë në pyetje për disa orë me radhë dhe më pas janë izoluar në ambientet e paraburgimit në këtë drejtori. Në bashkëpunim me policinë e Fierit është ushtruar kontroll në banesat e tre të rinjve dhe të vajzës nga Tirana. Dyshohet se droga është marrë në Vlorë, me qëllim shpërndarjen e saj në tregun e Elbasanit. Nuk dihet lidhja e adoleshentes me grupin fierak, çka do të verifikohet dhe me mbërritjen e prindërve të saj. Policia pohon se makina më targë të Vlorës rezulton në pronësi të një tjetër personi, i cili do të merret në pyetje. Aktualisht, pohohet se ndaj 4 personave, pavarësisht kushteve të flagrancës nuk është bërë arrestimi, deri në sqarimin e pozicionit të secilit prej tyre. a.k