Ministria: 160 dosje u gjetën me shkelje, masa për 34 prokurorë
TIRANE - Në zyrën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama ndodhet një raport i Ministrisë së Drejtësisë, i cili pretendon se 34 prokurorë të Tiranës kanë konsumuar shkelje në dosjet e hetuara prej tyre. Bëhet fjalë për rreth 160 procedime penale në të cilat Ministria e Drejtësisë ka pretenduar se ka pasur shkelje gjatë procedurave të hetimit. Sipas burimeve zyrtare, Ministria ka ngritur një sërë pretendimesh për shkelje administrative dhe procedurale në 160 dosje të hetuara nga prokuroria e Tiranës në periudhën gjysma e dytë e vitit 2007 deri në fund të vitit 2008. Kontrolli është kryer nga disa inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët verifikuan nga afër dokumentacionin e dosjeve. Nga ana tjetër, prokurorja e Përgjithshme e cila ka marrë në dorëzim raportin, ka pohuar se dosjet ku pretendohet se ka pasur shkelje përbëjnë vetëm 6 për qind të volumit të punës. Burime të organit të akuzës thonë se një sërë pretendimesh të ngritura nga Ministria e Drejtësisë janë për t'u shqyrtuar, ndërsa theksojnë se Prokuroria e Tiranës përballet me një ngarkesë të madhe pune për shkak të numrit të lartë të dosjeve në hetim. Megjithatë, prokurorja e Përgjithshme ka marrë në shqyrtim raportin dhe menjëherë u ka kërkuar sqarime me shkrim, prokurorëve që kanë hetuar dosjet e pretenduara me shkelje. Shumica e prokurorëve kanë përfunduar oponencën e tyre duke theksuar se kontrolli nuk ka qenë i saktë. Sipas tyre, një pjesë e dosjeve që pretendohen me shkelje së fundi nga Ministria e Drejtësisë, janë kontrolluar edhe më parë dhe kanë rezultuar të rregullta. Një tjetër kritikë e prokurorëve ka qenë se kontrolli nuk ka qenë korrekt për shkak se është pretenduar se nuk janë gjetur në dosje aktet hetimore, kur në fakt ato ndodhen në fashikull. Në këtë mënyrë, në disa raste pretendimesh për ekspertime, apo tabela fotografike të vendit të ngjarjes, prokurorët, në kundërshtimet e tyre kanë vendosur edhe fotokopje të këtyre dokumenteve që gjenden në dosje. Prokuroria e Përgjithshme pritet të shqyrtojë pretendimet e të dy palëve dhe më tej të veprojë me vendimmarrjen për secilin rast. Tr.so