Itali, kapet shqiptarivrau në ‘98
ROME- Një shqiptar i shumëkërkuar për vrasje, është prangosur në qytetin e Romës në Itali. Frrok Koçeku, 35 vjeç, nga Dibra, i cili kishte mundur të "mashtronte" autoritetet britanike dhe të shpëtonte nga ekstradimi, duket se nuk ka mundur ta vazhdojë gjatë "lojën" e tij me drejtësinë. Dy ditë më parë, agjentët e Interpol Roma e kanë arrestuar të shumëkërkuarin për llogari të drejtësisë shqiptare. Koçeku ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie nga Gjykata e Dibrës. Më 11 qershor 1998 ai kishte qëlluar për vdekje, në fshatin Fushë-Lurë të Dibrës, Besim Bucin. Në nëntor të vitit 2006, 35-vjeçari u prangos nga policia britanike, por nuk qëndroi shumë gjatë në qeli. Ai e bindi drejtësinë britanike, që nëse ekstradohej drejt Shqipërisë, do të përndiqej për shkaqe fetare. Ai pretendonte se familja e tij persekutohej, pasi ishte e vetmja familja katolike në fshatin Fushë-Lurës, ku dhe kishte ndodhur vrasja e Bucit. Megjithëse gjykata e kishte cilësuar fajtor për vrasjen e Bucit, ish-mësuesi Koçeku i tha gjykatës britanike se nuk kishte aspak lidhje me këtë vrasje. Ai mundi, në këtë mënyrë, që të sfidonte drejtësinë shqiptare dhe të vazhdonte jetën e tij krejt i qetë në Britaninë e Madhe. Por, në rrethana që ende nuk janë zbardhur, Frrok Koçceku ka hyrë në territorin italian ku dhe është prangosur. Mesa duket 35-vjeçari ka qenë krejt i qetë dhe ka menduar se nuk ka probleme me drejtësinë, pasi kishte mundur t'ia hidhte njëherë me drejtësinë britanike. Por, ka rezultuar krejt e kundërta. Drejtësia shqiptare do të kërkojë nga Italia ekstradimin e tij. Vrasja e Besim Bucit ndodhi në mes të fshatit Fushë-Lurë për motive hakmarrjeje. Ish-mësuesi Koçeku mundi të arratisej dhe të kapërcente kufijtë, duke u vendosur në një zonë periferike të Britanisë së Madhe, ku deri në vitin 2006 jetoi krejt i qetë. Pas më shumë se dy vitesh, ai fitoi betejën me drejtësinë dhe i shpëtoi ekstradimit, për t'u arrestuar nga Interpol Roma.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)