Itali, karabinierët ekzekutojnë shqiptarin e kërkuar
Një shqiptar ka mbetur i vrarë dje gjatë një operacioni të karabinierëve italianë në Siena të Italisë. Viktima nuk iu përgjigj urdhrit për t‘u ndalur, kështu që policia italiane ka qëlluar mbi të, pas paralajmërimeve të shumta. 35-vjeçari Thoma Zeni njihej si person me precedentë në Itali dhe mbante nëntë identitete të ndryshme. Viktima, 30-vjeçar, me orgjinë shqiptare, u qëllua me pistoletë nga një prej karabinierëve që morën pjesë në operacionin e organizuar në provincën Colle Val d‘Elsa, në Siena të Italisë. Identifikimi i viktimës ishte bërë falë një fotoje të skeduar më parë nga policia, por sipas medias italiane, nevojiten ende prova të tjera. Sipas policisë, viktima ishte skeduar 12 herë për krime të ndryshme dhe kishte dhënë nëntë identitete të ndryshme. Rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, karabinierët italianë ishin vënë në ndjekje të një makine, e cila rezultonte se ishte vjedhur në Colle Valdelsa, provincë e Sienas në Itali. Sipas një rindërtimi të parë të ngjarjes, ushtarakët kanë tentuar të ndalojnë një automjet që rezultonte i vjedhur, por në tentativë për t‘u arratisur është përplasur me makinën e karabinierëve. Dy personat që ishin në makinë janë larguar nga automjeti dhe kanë tentuar të arratisen në këmbë drejt fushave. Karabinierët kanë qëlluar të paktën pesë herë, pasi kanë parë dy shkëndija në makinën e shqiptarëve dhe kanë dëgjuar dy shpërthime që mendohet të kenë qenë të jastëkëve ajrorë mbrojtës të makinës. Një nga dy personat që ndiqeshin, Thoma Zeni, ka vdekur nga plumbat, ndërsa tjetri ka arritur të arratiset. Mësohet se viktima është ndaluar disa dhjetëra herë në pjesë të ndryshme të Italisë. Shërbimet e kontrollit të karabinierëve kanë bërë të ditur se ishte tentuar dhe dy herë të tjera të ndalohej kjo makinë e vjedhur. Mendohet se shqiptari ishte pjesë e një organizate që merrej me vjedhjen e vilave të pasanikëve. Gjithsesi, në Itali janë hapur hetimet për mënyrën e vrasjes nga karabinieria të 35-vjeçarit Zeni. Ndërkaq, vazhdojnë kërkimet për shqiptarin tjetër të arratisur.