Itali, kriteret e bashkimit familjar
Prej datës 1 janar të këtij viti, paga që duhet të ketë një emigrant shqiptar në Itali, për të tërhequr familjen e tij, duhet të jetë më e madhe. Kjo, pasi qeveria italiane ka rritur “çekun social” në vendin fqinj, që është edhe kriteri matës për pagën e një emigranti që dëshiron të bëjë bashkim familjar. Specialist i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Durim Hatibi, flet mbi ndryshimet në fjalë.
Ndryshimet
“Një emigrant shqiptar në Itali duhet që të realizojë një të ardhur vjetore, nga burime të ligjshme, jo më të vogël se sa shuma e çekut social, që shumëzohet me gjysmën për çdo familjar kandidat për ribashkim familjar”, – bën të ditur z. Hatibi.
Kjo shumë rritet për çdo person në familje, ndërkohë që për fëmijët dhe në përgjithësi për ata që janë në mbrojtje, duhet jo më pak se dyfishi i çekut social.
“Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë në moshë nën 14 vjeç, apo me dy a më shumë familjarë të mbajtësve të statusit të mbrojtjes së përkohshme do të mjaftojë një e ardhur jo më vogël se dyfishi i çekut social”, - sqaron ai.
Për vitin 2009, çeku social është i barabartë me 5.317,65 euro, çka do të thotë se për të kryer bashkim familjar me bashkëshorten dhe dy fëmijët do të duhej një e ardhur vjetore 13.294,75 euro.
“Disa Sportele Unike mbi Imigrimin, si organe kompetente për shqyrtimin e këtyre kërkesave janë shumë të ngurtë në përllogaritjen e të ardhurave, duke kërkuar edhe në qindarka respektimin e ligjit, ndërsa disa të tjerë janë më fleksibël dhe mbajnë parasysh qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punësimit dhe disa parametra të tjerë, kur të ardhurat shmangen jo shumë nga kufijtë ligjorë”, – thotë z. Hatibi.
Bashkimi familjar
Për të kryer bashkim familjar, tashmë dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet vetëm në Sportelin Unik të Emigracionit. Të interesuarit që duan të kërkojnë bashkim familjar duhet dorëzojnë pranë Sportelit për Legalizim të Ambasadës Italiane në Tiranë ditën e takimit dhe të pajisen me formularin e bashkangjitur, të plotësuar në çdo pjesë dhe të firmosur mundësisht nga qytetari shqiptar që banon në Itali dhe që kërkon bashkimin familjar. Në rast pamundësie, i firmosur nga familjari që banon në Shqipëri dhe që duhet të kërkojë vizë për bashkim familjar. Formulari i kërkuar, që duhet të dorëzohet në origjinal në sportel, duhet të jetë i shoqëruar nga kopja e lejes së qëndrimit në Itali të personit që kërkon bashkimin familjar dhe fotokopje të dokumenteve që do të vlerësohen.
Ndërkohë, për prindërit që janë në ngarkim e që kërkojnë bashkimin me fëmijët në Itali duhet dorëzuar certifikatë familjare, nga e cila të rezultojnë të gjithë fëmijët e lindur nga martesa, edhe nëse janë në emigrim, fëmijët e martuar ose të ndarë nga familja; kopje e certifikatës familjare dhe kopje e lejes së qëndrimit të fëmijëve që jetojnë në Itali. Në rast se fëmijët jetojnë jashtë shtetit: kopjen e lejes së qëndrimit, të përkthyer dhe të legalizuar nga Zyra Italiane Konsullore kompetente, ku legalizimi të jetë në origjinal dhe jo me faks.
Raste të veçanta
Emigrimi, procedurat e lejes së qëndrimit dhe shtetësisë
Specialisti i Ministrisë së Punës, z. Durim Hatibi, u përgjigjet pyetjeve të emigrantëve shqiptar në Itali në lidhje me legjislacionin e emigracionit. Ai sqaron si mund të merret leja e qëndrimit dhe cilat janë kriteret; çfarë ndodh kur je i martuar me një shtetas ose shtetase italiane; shtetësinë italiane dhe marrëdhëniet e punësimit.
Pyetje: Jam Ana, një shtetase shqiptare e martuar me një shtetas italian. A duhet të kërkoj, domosdoshmërish leje qëndrimi për të jetuar në Itali?
Nëse një shtetas/e shqiptar martohet me një shtetase/s italian/e dhe mban shtetësinë shqiptare, ai mund të qëndrojë pa ndërlikime dhe telashe në Itali, duke kërkuar kartën e qëndrimit si familjar i një shtetasi të BE-së.
Pyetje: Jam shtetas shqiptar, rezident në Itali; jetoj me vëllanë tim shtetas italian dhe zotëroj leje qëndrimi si punëmarrës. A mund të kërkoj Kartën e Qëndrimit?
Në Itali kam ardhur në suazën e Dekret-Flukseve 2007 dhe kam leje qëndrimi si punëmarrës. Njëherësh jetoj me vëllanë tim, që është shtetas italian. Pra, jam familjar i shkallës së dytë i një shtetasi italian. Desha të di, nëse kam të drejtën e kërkimit të kartës së qëndrimit si familjar i një shtetasi italian, duke e konvertuar edhe lejen e qëndrimit nga ajo me motive punësimi në atë me motive familjare. Sigurisht që lidhjen time familjare me vëllanë mund ta provoj përmes konsullatës italiane në Tiranë.
Nuk është e mundur të konvertosh lejen e qëndrimit si punëmarrës në kartë qëndrimi si familjar i shtetasit italian, sepse nuk bëhet fjalë për familjar në ngarkim të “shkallës së parë”, siç e parashikon edhe Direktiva Evropiane nr.38/2004, pra për bashkëshort/e dhe prindër dhe pasardhës/fëmijë.
Pyetje: Jam në Itali për motive turistike në harkun kohor 22 janar-1 mars 2009. Desha të di nëse mund të rikthehem atje dhe a përllogaritet gjithnjë gjashtëmujori i parë nga data e hyrjes, apo gjashtëmujori i parë nga data e largimit nga Itali?
90 ditët e qëndrimit maksimal për motive turistike përllogariten duke iu referuar 6-mujorit që vjen nga data e hyrjes së parë. Deri më 22 korrik mund të qëndrosh edhe për 90 ditë të tjera, por me vizë të re hyrjeje, sepse nuk mund të shtyhet ky lloj qëndrimi, veç shkaqeve shumë madhorë dhe të rrallë.
Pyetje: Kam paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane dhe kam katër vjet që po pres. Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. A është normale kjo dhe ç’duhet të bëj në këtë rast?
Jo, kjo nuk është aspak normale. Afati maksimal i pritjes me ligj është parashikuar 730 ditë. Ke mundësi ama të kontaktosh Qendrën e Thirrjeve të Ministrisë së Brendshme me numra telefoni: 06 48042101 -102 -103 -104 për të marrë informacione mbi ecurinë e praktikës tënde.
Pyetje: Jetoj në Itali që nga viti 1994, me leje të rregullta qëndrimi. Në prill të vitit të shkuar u martova ligjërisht me një shtetas italian, duke qenë edhe vetë shtetase italiane. Desha të di nëse, vëllai im, që jeton me mua me leje të rregullt qëndrimi, a mund të bëjë kërkesë për marrjen e shtetësisë italiane, duke qenë se bën pjesë praktikisht në familjen time në Itali. Aq më shumë dy fëmijët e mi të mitur janë shtetas italianë.
Nuk ka asnjë “shteg të shkurtër” për vëllain e një shtetasi/se italian/e, për të kërkuar dhënien e shtetësisë italiane. Për këtë vlejnë të gjithë rregullat në fuqi për shtetasit e huaj, duke nisur nga ai i qëndrimit të rregullt 10-vjeçar minimalisht në Itali, mes disa tjerash.
Pyetje: Kam gjetur një punëdhënëse italiane, e cila është e gatshme të më punësojë si bashkëpunëtore familjare (colf), me kontratë të rregullt të kësaj kategorie.
Çfarë dokumentesh mund të përgatisë ajo për mua dhe ç’duhet të përgatis unë?
Ku duhen paraqitur këto dokumente?
Në Dekret-Flukset 2008 nuk është dhënë mundësia për të paraqitur kërkesa të reja për punësim, veç atyre të mbetura të paplotësuara me Dekretin 2007. Sidoqoftë, sipas zhvillimeve mund të botohen dekret-flukse të reja, ku të parashikohet kjo mundësi për punësime të reja të shtetasve nga shtete jo anëtare të BE-së.