E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluturimi në Kosovë, 20.5 euro më lirë

Fluturimet drejt Kosovës do të kushtojnë 20.5 euro më lirë. Drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, deklaroi dje se tashmë ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Transporteve së Kosovës për heqjen e taksës prej 20.5 eurosh. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe kompania që bën fluturime në Kosovëm “Belle Air”, e cila ka bërë të ditur se bileta në Kosovë nuk do të kushtojë më shumë se 42 euro. Ky vendimi i qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës së fluturimet, prek të gjitha udhëtimet në linja ajrore jo më të gjata se 200 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. “Ne si aeroport kemi njoftuar kompaninë për vendimin e marrë, i cili ka filluar të zbatohet në praktikë. Veç heqjes së taksës, po ashtu kemi krijuar një program stimulativ për kompanitë që operojnë në linja prej 200 kilometra largësi për në ANP dhe ky program është miratuar. Nga ky program, i cili parasheh masa lehtësuese financiare, presim që të ketë edhe ulje të mëtutjeshme të biletës për këto linja. Me këto veprimet e fundit të autoriteteve kosovare janë krijuar kushtet për lirimin e çmimit të biletës në një shumë prej rreth 30 euro”, - tha drejtori menaxhues i ANP, Agron Mustafa. Zbritja e çmimit të biletës në vlerën e taksës është konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i kompanisë së vetme që ka linjë me Aeroportin e Tiranës, “Belle Air”, Dhimitër Tola. “Që nga data 3 shkurt kur kemi marrë njoftimin zyrtar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, kompania “Belle Air” ka marrë masë të menjëhershme për të pasqyruar zbritjen e taksës nga çmimi aktual i biletës. Shpresojmë dhe kemi besimin që edhe qeveria shqiptare do të marrë të njëjtën masë në mënyrë që çmimi i biletës Prishtinë–Tiranë, të bjerë në nivel të përballueshëm”, - tha Tola. Sipas tij, janë dy lloj taksash që duhet t’i heqë qeveria shqiptare, taksa e kalimit të kufirit, e cila ka hyrë në fuqi dhe ka filluar të zbatohet nga janari i këtij viti prej 10 eurove, dhe taksa aeroportuale prej 14.5 euro. “Aktualisht bileta njëdrejtimëshe Prishtinë–Tiranë starton me 42 euro. Jemi duke shpresuar që edhe pala shqiptare të përgjigjet njëlloj sikurse qeveria dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës me heqjen e taksave, në mënyrë që bileta midis dy kryeqyteteve shqiptare të ketë një vlerë mjaft të favorshme për të gjitha shtresat e popullatës”, - tha më tej përfaqësuesi i kompanisë ajrore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›