E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, lejet e qëndrimit, Gjykata: Fëmijët në shkollë, nuk përbën lehtësi

ROME- Gjykata e Kasacionit në Itali hedh hapa mbrapa përsa i përket integrimit të emigrantëve. Emigrantët e paligjshëm, prindër të fëmijëve minorenë që studiojnë në Itali nuk mund të kërkojnë qëndrim në shtetin fqinj me pretendimin se përjashtimi nga Italia do tu shkaktonte një traumë sentimentale dhe një pengesë në studimet e fëmijëve.

Gjykata e Kasacionit refuzoi kërkesën e një emigranti të paligjshëm shqiptar për të marrë lejen e qëndrimit në Itali.
Kërkesa e tij bazohej në faktin që bashkëshortja ishte në pritje të nënshtetësisë italiane dhe 2 fëmijët e tij të vegjël vazhdonin studimet në vendin fqinj.
Por trupa gjykuese nuk mori parasysh pretendimet e shqiptarit të lidhura me “zhvillimin e shëndetshëm psikofizik të fëmijëve, që do të ndikohej shumë nga largimi i babait të tyre.”

Gjyqtarët janë përgjigjur se leja e qëndrimit të klandestinëve në Itali mund të jepet vetëm në raste emergjente të lidhura me zhvillimin e fëmijëve minorenë. Por këto situata emergjente nuk përfshijnë procesin edukativ të fëmijëve.
Sipas Gjykatës së Kasacionit, nëse nuk do të veprohej në këtë formë, normat që lejojnë qëndrimin në kushtet e emergjencës do të favorizonin klandestinët të përdornin fëmijët si instrument për të fituar lejen e qëndrimit.

Me këtë prononcim, gjyqtarët hedhin poshtë vendimin e mëparshëm të Kasacionit , që i kishte hapur rrugën qëndrimit të një prindi klandestin në Itali, në kushtet e ruajtjes së të drejtave të fëmijës minoren që vazhdon studimet brenda territorit italian.
(e.n/ansa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›